Statusi, negociata deri në fund

16/12/2013 00:00

Gjatë Këshillit të së hënës, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar në mënyrë informale për Shqipërinë. I pyetur nga TCH gjatë konferencës nacionale për shtyp, ministri i Jashtëm slloven u shpreh optimist për një vendim pozitiv të martën për statusin kandidat.

“Unë mund të them se të gjithë ministrat e Jashtëm me të cilët kam biseduar e mbështesin kandidaturën e Shqipërisë. Edhe kur flas me ta në mënyrë informale, ministrat vlerësojnë se Shqipëria është e përgatitur për të qënë kandidate në Bashkimin Europian, për shkak se zgjedhjet parlamentare ishin shumë të mira. Ndaj besoj se nesër do të marrim vendim pozitiv për Shqipërinë, e po kështu dhe në samitin e kryeministrave europiane në fund të javës. Mendoj se ju keni shanse të mira. Vura re se dhe zonja Ashton e mbështet gjithashtu statusin kandidat për Shqipërinë”, deklaroi ministri Karl Erjavec.

Njësoj vlerësoi dhe zëvendëskryeministrja kroate, Vesna Pusniç, e cila argumentoi se pavarësisht hezitimit nga disa shtete të rëndësishme anëtare, pjesa dërrmuese e BE-së e mbështet kandidaturën e Shqipërisë.

“E di që ka qëndrime të ndryshme. Ne e kemi marrë mbështjetjen nga shumica dërrmuese e shteteve që t’i jepet që tani statusi i kandidatit, por është fakt se ka shtete të mëdha që janë skeptike ndaj këtij vendimi në këtë moment. Ne e dimë nga përvoja jonë se nga statusi deri te nisja e negociatave e pastaj deri te anëtarësimi është një proces shumë i gjatë. Por për momentin mendojmë se do të ishte një vendim i duhur, duke patur parasysh një gjeneratë të re të politikës në Shqipëri, e cila ka qasjen e duhur për këtë punë. Do të ishte e dobishme që t’i jepet statusi jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë rajonit”, tha Pusniç.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel për të diskutuar çështjet ekonomiko-sociale, mbrojtjen, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Qëndrore.

Zyrtarisht, Ballkani Perëndimor ishte pika e fundit e diskutimit sipas axhendës së Këshillit, por kjo vetëm në kuadër të raportimit nga Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton, mbi ecurinë e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Top Channel