Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, mblodhi mesditën e së hënës liderët e partive politike dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit, për të diskutuar për reformën zgjedhore.
Sipas burimeve partiake, temë diskutimi ka qenë edhe vazhdimi i vendeve të rezervuara për komunitetin serb në Kosovë, për çka partitë kanë shprehur qëndrimet e tyre.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook, njoftoi për fillimin e takimit dhe përfundimin e tij. Në statuset e Thaçit, megjithatë, nuk thuhet se takimi ishte i përbashkët me ndërkombëtarët.
“Sapo përfundova takimin me liderët politik rreth reformës zgjedhore. Takimi ishte konstruktiv dhe në fryme pozitive. I falënderoj të gjithë liderët pjesëmarrës”, ka shkruar kryeministri Thaçi në Facebook.
Sipas kryeministrit Thaçi, liderët partiak janë pajtuar që Kosova të ketë një zonë zgjedhore dhe fushata e zgjedhjeve parlamentare të zgjasë 14 ditë. Është arritur pajtueshmëri, që pragu zgjedhor për të hyrë në Kuvend të jetë 2,5% për kandidatët e pavarur, 5% për partitë dhe 7,5% për koalicionet parazgjedhore.
Mbetet çështja e pjesëmarrjes së garantuar prej 30% të gjinisë femërore, që kërkon edhe ndryshime kushtetuese. Të hapura mbeten edhe çështjet: eliminimi i votave me kusht, e drejta për të pasur dy pozita (legjislativi ose ekzekutivi), përbërja e KQZ-së, si dhe çështja e vendeve të rezervuara për një apo dy mandatet e ardhshme, për të cilat duhen ndryshime kushtetuese”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha – nëpërmjet telefonit – se, edhe pas këtij takimi, qëndrimi i LDK-së mbetet ai që ka qenë, pra kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për serbët.
Në takimin, që u zhvillua pa praninë e mediave, në rezidencën e ambasadorit Ian Cliff, në lagjen Pejton në Prishtinë, morën pjesë të gjithë liderët e partive, me përjashtim të kryetarit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, i cili nuk ishte ftuar.
Top Channel