Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për serbët në Parlament. Madje, një vendim i tillë për Krasniqin do të ishte jodemokratik.

“Për demorkacinë nuk është e shëndetshme që në Kuvendin e Kosovës të ketë shumë numra që nuk janë nga vullneti i qyetarëve. Mendoj se në këtë aspekt Kosova ka bërë një hap më pozitiv se çdo vend tjetër dhe nuk do të duhej të shkohej përtej kësaj që kemi”, ka thënë Krasniqi.

Edhe dy subjektet parlamentare në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kundërshtojnë ulëset që serbët kërkojnë pa iu nënshtruar votës së qytetarëve.

Qëndrim të kundërt duket se kanë partitë në pushtet. E pyetur për qëndrimin e PDK, shefi i grupit parlamentar Adem Grabovci tha se veprimet e tyre janë në interes të qytetarëve dhe shtetit, por pa sqaruar nëse ulëset për serbët janë apo jo një interes i përgjithshëm.

Ndërsa Myzejene Selmani nga Aleanca Kosova e Re çoi përpara idenë për dhënien e tri vendeve gratis serbëve të veriut. Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Temë e nxehtë diskutimi në mbledhje ishte projektligji për buxhetin e vitit 2014. Opozita tha se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese buxhetin, pasi në të është futur edhe shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

“Është e paligjshme sepse të futet në ligjin e buxhetit shitja e PTK-së, kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe nga kjo qeveri. Prandaj, si LDK, ne nuk do ta pranojmë një buxhet të tillë, nuk do ta votojmë dhe mbi të gjitha nuk do të hyjmë fare në seancë dhe do ta bojkotojmë atë”, ka thënë Beqiri.

“Qeveria po insiston që Kuvendi të jetë lavatriçja e saj për pastrimin e ilegalitetit, apo proceseve ilegale që ka zhvilluar deri më tani për të vendosur deputetët para një alternative më të vështirë. Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë këtë amendament, këtë ligj për buxhetin dhe do të ndërmarrë të gjitha masat përbrenda sallës së Kuvendit për ta pamundësuar trajtimin apo votimin e tij”, ka thënë Ymeri.

Seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të enjten. Në rend dite nuk është projektligji për buxhetin.

Top Channel