Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë pala serbe po zvarrit gërmimet në Rashkë, ndërkohë që kërkon të hiqen proçedurat burokratike të cilat ata duhet t’i ndjekin gjatë kërkimeve për personat e zhdukur.

Dyshohet se në Rashkë gjenden eshtrat e rreth 250 viktimave të masakrave serbe. Por për të vazhduar gërmimet duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Serbisë, gjë e cila nuk po ndodh.

Trupat e shqiptarëve të vrarë nga paramilitarët serbë nga Kosova ishin transportuar në Rashkë dhe për të humbur çdo dyshim të krimit se këtu ka një varr masiv, përveç shtresave të dheut, atje ka edhe objekte të ndërtuara si dhe pjesë të asfaltuara mbi eshtrat e viktimave shqiptare.

Teksa raportoi në komisionin për të drejtat e njeruit dhe për perona të pagjetur, Gërxhaliu tha se dyshohet edhe për dy varre masive në pjesën e Rashkës.

“Edhe dy lokacione të tjera janë të shënuara aty, por do të varet shumë nga gjetjet që do të bëhen këtu, gjetjet tregojnë a mund të dyshohet për lokacionet e shënjuara. Po ju them se kemi vetëm një informatë, më 9 maj 2010, kur zëvendësprokurori Bruno Kariç tha se dyshohet se janë kryesisht të rajonit të Drenicës. Atë nuk mund ta vërtetojmë ne, ata ndoshta kanë informacione, por analiza do dëshmojë gjithçka”, deklaroi Gërxhaliu.

Zoti Gërxhaliu theksoi se inçizimet satelitore u kanë ndihmuar që të gjendet varreza masive në Rashkë, meqë është vërejtur shembja e dheut dhe tashmë pritet një takim me Prokurorinë serbe për Krime Lufte. Ndërkohë, u ktheksua se nuk mund të flitet për numrin e mundshëm të atyre që ndodhen në varrin masiv.

“Nuk duhet të kemi panik bazuar nga dëshirat. Kisha dëshirë që 1.721 të jenë vend dhe të përfundohet kjo çështje, por nga aspekti i profesionalizmit mjeko-ligjor nuk guxojmë të predikojmë në numra. Është diskutuar disa herë, por ne flasim vetëm në atë çka gjejmë, pesë janë të sigurt sepse i kemi parë në sipërfaqe. Ajo ndërtesë duhet të rrëzohet, duhet të largohet ajo shtresë e asfaltit dhe të kërkohet kohë pak më e mirë meqë nuk punohet me makineri por me vegla dore dhe duhet ulesh në gjunjë që të mos dëmtohen mbetjet mortore”, nënvizoi Gërxhaliu.

Në komision u fol edhe për regjistrin e personave të zhdukur, lidhur me të cilin Gërxhaliu tha se ata bazohen në listën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Përgjegjësit u zotuan se do të bëjnë presion që gërmimet të fillojnë sa më shpejt, meqë ka shumë faktorë që mund të ndikojnë dhe që mund të zgjasë shumë kjo proçedurë. Nga lufta e fundit Kosovës i mungojnë mbi 1 mijë e 700 qytetarë.

Top Channel