Nga 1 Janari, skema e ndihmës ekonomike pritet të ndryshoje tërësisht. Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të një formule kompiuterike, pasi të jenë verifikuar të ardhurat e individëve.
“Matematicienët dhe informaticienët e shërbimit social kanë hartuar një formulë. Formula është sekrete. Askush nuk e di dhe askush nuk mund ta impaktojë. Në bazë të të dhënave që hidhen, menjëherë numri i identifikimit lidhet me serverin dhe regjistrin e pronave, me sistemin e hyrje-daljeve jashtë vendit, në mënyrë që të kuptojmë realisht nëse ky person është i atashuar në një server tjetër, nëse ai merr realisht të ardhura të tjera. Kjo formulë do të na lejojë të pakësojmë abuzuesit me 20%”, vlerësoi ministri Veliaj.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha se dhjetëra kryetarë komunash dhe anëtarë të keshillit bashkiak janë cuar në Prokurori, për abuzime të medha me skemën e ndihmës ekonomike, e cila shumë herë nuk ka shkuar tek familjet në nevojë, por tek vetë funksionarët e shtetit.
“Kryesisht abuziesit janë kryetarë komunalë, këshilltarë bashkiakë dhe të këshillave të komunës e në disa raste bëhen në mirëkuptim të plotë midis të dy krahëve politike të bashkisë dhe komunës. Këtu kemi qenë të pakursyer dhe kemi cuar paketë listës e abuzuesve në prokurori”, shtoi zoti Veliaj.
Ndihma ekonomike do të jepet nëse ne një familje gruaja është pa pune dhe vërtetohet që fëmijet shkojnë në shkollë dhe janë të vaksinuar.
Top Channel