Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë postimin e parë në rrjetin social Facebook, në faqen “Kryeministri i Republikës së Kosovës”, e cila prej kohësh menaxhohej nga stafi i tij.

Kjo vjen pak kohë pasi Facebook njohu Kosovën si shtet, gjë kjo e transmetuar edhe në “New York Times”, ku vet Thaçi ka dhënë intervistë.

“Më erdhi koha edhe mua të përdor këtë rrjet social, pasi djali im Endriti është i zemëruar pse nuk jam edhe unë prezent në rrjetet sociale”, shkruan Thaçi.

“Unë, ndërkohë, falënderova edhe zyrtarët e lartë të Facebook, që e përfshinë Kosovën në listat dhe statistikat e tyre. Kjo do t’i ndihmojë edhe bizneset lokale në promovim”, vijon deklarata e Thaçit në Facebook.

“Falënderoj edhe qytetarët e Kosovës, që kanë dhënë kontribut me postimet dhe apelet e tyre. Së fundmi, për këtë çështje u intervistova edhe nga ‘New York Times’. Lexojeni, nëse keni kohë”.

“Shpresoj të bashkëbisedojmë në këtë platformë”, shkruan në fund të postimit kryeministri kosovar. Në fakt, faqja “Kryeministri i Republikës së Kosovës” është aktive që nga nëntori i vitit 2011.

Ndonëse vet kryeministri nuk ka qenë aktiv, këtu janë postuar thuajse të gjitha aktivitetet e tij dhe qeverisë që ai drejton.

Top Channel