
Në 3-vjetorin e liberalizimit të vizave, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është i bindur se kjo arritje, të cilën ai e cilëson si historike për dinjitetin e shqiptarëve, e ka bazën te cilësia e shtetit ligjor, që ndertoi Partia Demokratike.
“Dhe kjo është një arritje, që duhet mbrojtur. Nuk është një e drejtë e zotit, e fituar përgjithmonë, por është një arritje, që duhet mbrojtur dhe për të cilën përgjegjësia vazhdon të jetë e madhe, si te qytetari shqiptar, ashtu edhe te qeveria shqiptare”, tha Basha.
Por, te cilësia e shtetit ligjor në Shqipëri, zoti Basha shikon edhe të ardhmen e integrimit europian. Dhe, në këtë pikë, ai nuk duket se është optimist, për shkak të asaj që e quan sjellje antiligjore e qeverisë, këto 3 muaj, në lidhje me administratën publike, me të drejtat kushtetuese të qytetarëve dhe me institucionet e pavarura. Me këto çështje, opozita thotë se qeveria ka bërë regres dhe për këtë nuk mund të bëhen përgjegjëse disa shtete skeptike europiane.
“Të qenurit transparent, siç është rasti i Holandës, nuk do të thotë që ky skepticizëm është ngushtuar vetëm te një vend. Ndaj, detyra jonë është më e madhe se kurrë, që t’i bindim, jo me fjalë, por me vepra. Nuk mjafton të çosh 3 apo 13 ministra në Hagë, apo në Paris, apo në Berlin. Kur fjalët nuk përputhen me veprat, është e vështirë t’i bindësh”, shtoi Basha.
Në analizën e kreut të opozitës, rasti kur fjalët nuk përputhen me veprat është edhe ajo që zoti Basha e cilëson si tendencë të qeverisë për të luftuar korrupsionin me fushata propagandistike ekstraligjore.
“Partia Demokratike mbështet pa rezerva luftën kundër korrupsionit. Është e hapur të japë mbështetje të plotë për verifikim në mënyrë ligjore, por nuk po ndodh kjo. Korrupsioni nuk mund të luftohet me fushatë, dhe aq më pak që fushata të përdoret për gjueti shtrigash. Shteti ligjor është garancia më e fortë për luftën kundër korrupsionit. Por, nëse kryeministri shkruan në Facebook, atë që në fakt i takon me ligj dhe kushtetutë vetëm gjykatave në këtë vend, kur kërkoi që ish-ministri i Mbrojtjes të ndëshkohej për korrupsion, atëherë ky realitet vetëm europian nuk është, vetëm me shtet ligjor nuk ka të bëjë, nuk është luftë kundër korrupsionit, është luftë politike, është gjueti shtrigash. Dhe kjo, jo vetëm nuk jep sinjalet e duhura në luftën kundër korrupsionit, por i bën partnerët të kërkojnë edhe më shumë prova për t’u bindur”, theksoi Basha.
Bashkëbisedimin me studentët, zoti Basha po e përdor si një mundësi për të ndërgjegjësuar shoqërinë të ngrejë zërin dhe të protestojë, siç bëri në rastin e armëve kimike, kundër mungesës së transparencës dhe llogaridhënies nga qeveria.
Rasti më i ri flagrant, sipas kreut të Partisë Demokratike, është mohimi që qeveria po u bën qytetarëve për t’u njohur me buxhetin dhe taksat që do të paguajnë.
“Rritja e taksave është vërtetuar kudo se vret vendet e punës dhe ne, akoma pa u zbardhur, marrim vesh se kjo është një nga vijat kryesore të buxhetit të ri, rritje taksash”, u shpreh Basha.
Me bashkëbisedimin e studentëve, zoti Basha ka për qëllim edhe përfshirjen e rinisë në procesin e ringritjes së Partisë Demokratike.
“Energjia rinore është embrioni i Partisë Demorkatike. 23 vite kanë kaluar, por kjo vlerë e PD nuk ka ndryshuar aspak, prandaj iu them që PD ka lindur e re dhe do të mbetet e re”, përfundoi Basha.
Basha inauguron “Rrugën e Qelqit” në Kombinat
Më parë gjatë ditës, kreu i Bashkisë së Tiranës, bashkë me banorë të njësisë bashkiake numër 6, inspektoi përfundimin e punimeve për “Rrugën e Qelqit”.
“Është një punë me cilësi që përfshin të gjithë infrastrukturën. Bashkia e Tiranës me këtë punë publike mbyll planin buxhetor për vitin 2013 duke bërë realitet të gjitha premtimet. Detyra jonë është t’u vijmë në ndihmë qytetarëve dhe të krijojmë një dinamikë pozitive për mirëqenien. Ju siguroj se Bashkia do ju qëndrojë pranë në ditë të mira dhe të vështira.”
Inagurimi i rrugës, minibashkia kundër Bashës
Kreu i minibashkisë numër gjashtë në Tiranë, Krenar Cenollari, reagoi pas përurimit të rrugës së Qelit nga kryebashkiaku Lulzim Basha.
“Projekti për ndërtimin e rrugës është hartuar nga njësia jonë minibashkiake dhe në bazë të projektit fillestar, punimet duhet të kishin përfunduar në Shtator 2012”, akuzoi Cenollari.
Kryetari i minibashkisë, gjithashtu shprehu pakënaqësinë e tij për mungesën e një ftese zyrtare prej bashkisë, për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit.
Top Channel