
Rumania, si pasojë edhe e krizës ekonomike në radhët e Bashkimit
Evropian, mund të ketë nevojë edhe për të paktën 10 vjet para se të
arrijë objektivin për një GDP për person të barabartë me 60 për qind të
mesatares kontinentale, për të përdorur monedhën e përbashkët.
Deklarata është bërë nga guvernatori i Bankës Kombëtare rumune, Mugur Isarescu. Sipas tij, pasi të arrihet objektivi i parë Bukureshtit do t’i duhet gjithashtu një periudhë e gjatë stabiliteti politik, para se të nisë përdorimin e euros.
Gjithashtu, sipas opinionit të guvernatorit, Rumania duhet të vazhdojë të angazhohet në rrugën e reformave strukturore të ndërmarrjeve publike, të liberalizimit të çmimeve dhe të përmirësimit të fleksibilitetit të tregut të punës, duke zbatuar kështu angazhimet e marra me Brukselin dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në vitin 2012, sipas të dhënave të EUROSTAT, në Rumani GDP-ja për person në përpjestim me fuqinë blerëse ishte rreth 50 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian. Para rënies së krizës financiare, që ka prekur edhe ekonomitë më të forta të Unionit, Bukureshti zyrtar kishte planifikuar të hynte në Eurozonë brenda vitit 2015.
Top Channel