“Nëpunësi”, kur hyn në fuqi ligji?

14/12/2013 00:00

Maxhoranca do të presë zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të ndërmarrë hapat konkrete se si do të veprohet më pas me ligjin për nëpunësin civil.

Burime pranë saj bëjnë me dije se nga argumentimi që Kushtetuesja i ka bërë rrëzimit të aktit normativ për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil do të varet veprimi ligjor i mëpasshëm.

Ndërsa për juristët, rasti në fjalë është i ndërlikuar. Të kontaktuar nga Top Channel ata ndahen për datën kur efektet e ligjit për administratën hyjnë në fuqi. Një pjesë janë më afër qëndrimit se me rrëzimin e aktit normativ efektet e ligjit nisin nga data 1 tetor, pjesa më e madhe e tyre thonë se efektet e ligjit nisin në ditën kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese botohet në Fletoren Zyrtare, pasi vendimet e kësaj gjykate nuk kanë fuqi prapavepruese.

Nëse do të jetë ky variant i fundit, duke marrë parasysh se zbardhja e vendimeve të Kushtetueses ka kapur rekorde edhe të një periudhe 4-mujore,  në një rast të tillë, kjo do të bënte që vendimi i gjykatës për rrëzimin e aktit normativ, të mos kishte pasoja juridike.

Kjo kohë do të përputhej me atë që akti  parashikonte, që efektet e ligjit për nëpunësin civil të hynin në fuqi në datën 1 prill të 2014-ës.

Edhe nëse zbardhja dhe botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare do të bëhet më shpejt, kjo nuk parashikohet, sipas juristëve, më parë se janari i vitit të ardhshëm.

Në rast të një zbardhjeje më të shpejtë të vendimit të Kushtetueses dhe nëse maxhoranca i mbetet qëndrimit për të shtyrë hyrjen në fuqi të efekteve të ligjit për nëpunësit civil, rruga e vetme tashmë është ndryshimi i vetë ligjit në parlament.

Të majtët i kanë 84 votat e nevojshme për të ndryshuar vetëm një nen të ligjit që flet për fillimin e efekteve të tij dhe kanë kohën e nevojshme për ta bërë këtë në parlament.

Por gjithsesi zbardhja e argumentimit të rrëzimit të aktit normativ nga Gjykata Kushtetuese, mbetet baza ku do të mbështeten veprimet konkrete të palëve.

Top Channel