Harta që shkaktoi 100 vjet konflikte

14/12/2013 00:00

Në fillim të shekullit të 20-të, Britania e Madhe dhe Franca luftonin për influencë në Lindjen e Mesme. Për t’i dhënë fund kësaj lufte, Londra dhe Parisi i asaj kohe ngritën një komision të përbashkët për ndarjen e zonave.

Mark Sykes për palën britanike dhe Francois Georges-Picot për atë franceze drejtonin këto dy komisione. Në 1916, pas vitesh bisedime dhe takimesh, Sykes dhe Picot arritën marrëveshjen për ndarjen e zonave në Lindjen e Mesme.

Harta e përfituar ishte një ndarje e re territoriale ku dy vendet kolonizatore premtonin të respektonin të drejtat e njëra-tjetrës. Por vitet provuan se llogaritë e asaj kohe ishin bërë gabim.

E para, si Britania ashtu edhe Franca nuk mbajtën premtimin e dhënë ndaj popullsisë arabe vendase, të cilave u kishin premtuar pavarësinë nëse rebeloheshin kundër Perandorisë Osmane.

E dyta, harta e vizatuar nga Sykes dhe Picot ishte një ndarje në bazë të interesave dhe zonave të influencës mes Francës dhe Britanisë dhe nuk respektonte ndarjen reale të popullsisë në terren në bazë të kulturës, etnisë dhe fesë.

E njëjta praktikë u ndoq edhe me vendet në Afrikën Veriore, ku Britanisë iu la dorë e lirë në Egjipt, ndërsa Francës në Algjeri, Tunizi, Libi dhe Marok.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore gëzonin një autonomi më të zgjeruar se më parë. Por kjo nuk mjaftoi. Ato dëshironin pavarësinë. Në këtë kohë nisën lëvizjet e para nacionaliste në të dyja këto rajone, lëvizje që u përshkallëzuan dhe kur bota doli nga Lufta e Dytë Botërore, thuajse të gjitha këto vende fituan pavarësinë.

Ana tjetër e medaljes ishte se lufta për Pavarësi prodhoi nacionalistë, që me marrjen e pushtet i shndërruan në diktatorë. Shumë vende kaluan nëpër trazira vendore deri kur u stabilizuan nën grushtin e një udhëheqësi të vetëm, si Gedafi në Libi, Assad (i ati) në Siri, Mubarak në Egjipt, Sadam Husein në Irak dhe Ajatollahët në Iran.

Përjashtuar Iranin, i cili ishte thuajse homogjen në përbërjen e tij, të gjitha vendet e tjera populloheshin nga kultura dhe besime të ndryshme fetare. Diktatorët e këtyre vendeve mundën të ruajnë pushtetin e tyre me format nga më të ashpra të brutalitetit duke shtypur lëvizje të ndryshme dhe ato fetare.

Kjo ndodhi deri në 2011, kur nisi ajo që quhet ‘pranvera arabe’, që pasoi rrëzimin e një sërë regjimesh. Bashkë me ‘pranverën’ erdhën edhe përplasjet fetare. Në Libi rrymat ekstremiste janë fuqizuar që prej rrëzimit të Gadafit, në Tunizi po ashtu, Egjipti vazhdon të lundrojë në ujëra të turbullta dhe përleshjet mes atyre që duan një shtet laik dhe atyre që duan një shtet fetar vazhdojnë.

Në Irak, rrëzimi i Husein pas pushtimit amerikan pasoi një qeveri të dobët dhe të paaftë për t’u përballur me konfliktet sektare dhe Al Kaedan.

Siria ndodhet “një hap mbrapa”. Në vend vazhdon të udhëheqë Assad, ndërsa lëvizja opozitare sa vjen e dobësohet për shkak edhe të stepjes së ndërkombëtarëve që tremben nga prezenca e grupeve ekstremiste, disa prej të cilave me lidhje me Al Kaedan.

Tjetër gjë mund të thuhet për Palestinën. Krijimi i një shteti hebre pas Luftës së Dytë Botërore përcaktoi fatin e kësaj pjese të rajonit.

Top Channel