Një shtetas amerikan, i dyshuar si një agjent i CIA-s, është zhdukur në Iran prej shtatë vitesh, raportoi të premten “Associated Press”.
Robert Levinson konsiderohet zyrtarisht si i humbur, që pasi udhëtoi për një takim pune në ishullin iranian të Kishit, në Mars 2007.
Ai dyshohet që të kishte tentuar të mbërrinte në Iran për llogari të një misioni spiunazhi të organizuar prej CIA-s.
Misioni në fjalë raportohet të ketë shkaktuar një skandal brenda vetë agjensisë së spiunazhit, pasi besohet se ai drejtohej nga disa zyrtarë, pa marrë aprovimin e drejtuesve më të lartë të CIA-s.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë drejtuar thirrje të përsëritura jopublike Iranit për të ndihmuar në gjetjen e tij.
CIA nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë ngjarje.
Megjithatë, sipas “AP”, agjensia i ka paguar 2,5 milionë dollarë familjes së Levinson për të shmangur një padi që do të bënte publike çështjen dhe gjithashtu janë paguar edhe 10 analistë veteranë për të ruajtur heshtjen.
Nuk është e qartë nëse Levinson është neutralizuar në ndonjë formë nga kundërzbulimi iranian dhe nuk njihet, të paktën publikisht, ajo që mund të ketë ndodhur me të që prej momentit të zhdukjes.
Top Channel