Ndërsa po duket shumë e vështirë për Shqipërinë një ‘PO’ për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë pas qëndrimeve të fundit të Holandës dhe ndonjë vendi tjetër anëtar i BE-së, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati përpara një auditori studentesh preferoi që pikëpyetjes për vendimin e pas pak ditëve t’i përgjigjet duke cituar Nelson Mandelën.

“Duket gjithmonë e pamudnur deri sa të kryhet”, tha ai.

Vështirësia që po has Shqipëria me procesin e integrimit, tha shefi i diplomacisë shqiptare përpara studentëve, duhet parë si rrjedhojë e dy faktorëve nëpër të cilat po kalon vetë BE, një lodhje e disa vendeve anëtare me procesin e zgjerimit dhe kriza ekonomike e BE-së, si pengesë dhe stimul negativ për zgjerimin.

“Jemi përballë një BE-je që duket sikur po i mbaron fryma ku vendet e rajonit janë ndarë në dy pjesë, ato që janë integruar dhe po ecin me shpejtësi dhe të tjerat që janë në vendnumëro, dhe ne e dimë cdo të thotë vendnumëro, të humbësh ritmin”, deklaroi Bushati.

Në rast se vendimi final është ‘JO’, i vetëdijshëm se vendi humbet një instrument për të rritur presionin mbi reformat, Bushati tha lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vazhdojnë. Një model për t’u ndjekur në rajon është Kroacia shtoi ai, anëtarësimi i së cilës në BE u parapri nga ndëshkimi ligjor i ish-kryeministrit për korrupsion, që gjërësisht njihet sot si ‘sanaderizmi’.

“Për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dara e drejtësisë dhe e shtetit të së drejtës mund të penetrojë deri në nivelet më të larta të shtetit. Për këtë ne duhet të përgatitemi si shoqëri shqiptare”, deklaroi Ministri i Jashtëm.

Top Channel