Protestuesit pro-europianë në Ukrainë përforcuan pozicionin e tyre në qendër të Kievit, duke rindërtuar barrikadat e larguara prej policisë më parë gjatë javës.
Vendimi i Kievit zyrtar për të mos firmosur një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në në Nëntor ngjalli manifestimet masive në Ukrainë.
Sipas opozitës dhe manifestuesve, autoritetet janë duke iu nënshtruar presionit rus, që e konsideron vendin nën sferën e tij të influencës dhe që në këmbim të refuzimit të ofertës së BE-së i ka ofruar Ukrainës pjesëmarrjen në një zonë të tregëtisë së lirë që Rusia ka krijuar së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin.
Heqja e barrierave doganore për mallrat ukrainase ishte kushtëzuar nga Brukseli me lirimin e ish-kryeministres së burgosur Yulia Tymoshenko.
Protestues ne sheshin kryesor te Kievit
Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych ishte thirrur nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një takim urgjent në Moskë dy ditë përpara se të debatohej në parlament marrëveshja e propozuar nga BE, e cila më pas u refuzua.
Megjithatë, në një kthesë të papritur, dukshëm e motivuar nga presioni në rritje mbi qeverinë, zëvendëskryeministri Serhiy Arbuzov deklaroi të enjten se Ukraina do të “firmosë së shpejti” paktin me BE-në në Bruksel.
Manifestimi ne Kiev vazhdon parreshtur edhe gjate oreve te nates
Aktualisht, diplomacia europiane dhe amerikane është fokusuar tek Ukraina, e cila konsiderohet gjerësisht prej mediave botërore si sheshbeteja e re, e një lufte të fortë për influencë midis Europës dhe Rusisë.
Top Channel