SHBA, Dhoma miraton planin e buxhetit

13/12/2013 02:40

Plani për buxhetin federal, i cili u hartua me kompromisin e të dyja palëve në SHBA dhe që largon kështu kërcënimin për një “shutdown” të qeverisë në 2 vitet e ardhshme, është miratuar me lehtësi të enjten nga Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët.

Marrëveshja e hartuar nga kreu i buxhetit në Dhomë, republikani Paul Ryan, dhe kryetarja e komitetit për buxhetin në Senat, Patty Murray, kaloi me 332 vota pro dhe 94 kundër, e tani pret të votohet edhe në Senatin e udhëhequr nga demokratët, i cili parashikohet ta miratojë atë javën e ardhshme.

Pakti përfaqëson një konvergjencë ta rrallë mes dy partive mbi shpenzimet qeveritare, pas 2 vjetësh debati të ashpër dhe përplasjeve politike, përfshi këtu edhe “shutdown”-in 16-ditor në muajin tetor.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë bënte të ditur se plani nuk përfshinte gjithçka dëshironte presidentin Barack Obama, por “ai shënonte një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit bilateral dhe tregon se Uashingtoni mundet dhe duhet të ndalet së qeverisuri përmes krizave, ndërkohë që të dy palët mund të punojnë së bashku për t’i bërë gjërat siç duhen”.

Publiku amerikan u irritua së tepërmi për mosfunksionimin e Uashingtonit, veçanërisht me konservatorët republikanë, të cilët shkaktuan mbylljen e pjesshme të qeverisë në përpjekjet e tyre për të lidhur shpenzimet federale me kundërshtimin e “Obamacare”, duke bërë që liderët republikanë t’i kushtonin vëmendje të veçantë zërave kundër të ekstremit të djathtë mbi kompromisin për buxhetin.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, pranoi se plani arriti të bënte një hap të vogël drejt objektivit të republikanëve për të reduktuar defiçitin dhe balancuar buxhetin, por refuzoi kundërshtimet nga disa konservatorë në grupin parlamentar të tij, ashtu si dhe të disa grupeve të jashtme në politikën e djathtë.

“A është perfekte? A bën përpara mjaftueshëm? Jo, jo sa ç’duhej”, tha Boehner teksa nxiste kolegët e tij të mbështesnin planin, duke theksuar se ai rezultoi nga “puna e bërë, që vet populli amerikan pret të bëhej prej tyre: bashkimi dhe gjetja e gjuhës së përbashkët”.

Edhe demokratët e kanë lavdëruar propozimin për buxhetin si “një hap të vogël pozitiv përpara”. Disa prej tyre bënë thirrje ndaj Kongresit të zgjasnin përfitimet nga papunësia afatgjatë për më shumë se 1 milionë amerikanë, që pritet të skadojë pas Krishtlindjes, por mbështetja e tyre për planin e buxhetit tregoi se edhe ata hoqën dorë nga kërkesat për t’i lidhur bashkë dy çështjet e ndara, në votimin e së enjtes.

Në Dhomë, 169 republikanë votuan pro dhe 62 kundër, ndërsa nga republikanët u votua 163 me 32.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA