Privatizimi i Post-Telekomit të Kosovës po shkon drejt përfundimit. Kjo për shkak se qeveria kosovare në leximin e dytë të projektbuxhetit për vitin 2014, ka futur një amendament të veçantë për shitjen e 75% të aksioneve në PTK.

Në një takim të Komisionit për buxhet dhe financa të mbajtur të premten pa praninë e mediave, me shumicë votash është aprovuar kërkesa e qeverisë për shtimin e këtij amendamenti në projektbuxhet. Kjo çështje tashmë e dy muaj kishte bllokuar punën e Kuvendit.

Deputetë të Lidhjes Demokratike thonë se kjo çështje tashmë është bërë arenë përplasjesh mes partive politike në Kuvend. Sipas LDK-së, procesi i privatizimit të PTK-së i zhvilluar nga ana e qeverisë nuk ka bazë ligjore.

Sipas ligjit për ndërmarrjet publike, Kuvendi me vendim të veçantë mund të lejojë privatizimin e ndonjë ndërmarrjeje publike. Për këtë arsye LDK paralalajmeron bojktim të seancës.

“LDK-ja do të mbajë qëndrimin e saj të deritashëm duke mos marrë pjesë në seancën kur do të shtrohet ky amendament për votim. LDK-ja qartëson se do të ndjekë rrugët kundër të këtij akti kundërligjor të qeverisë së Kosovës. LDK-ja qartëson se do të sfidojë në Gjykatën Kushtetuese nëse shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, e përbërë nga PDK-ja dhe partitë e tjera të marrë ndonjë vendim lidhur me këtë rast”, deklaroi Hykmete Bajrami, anëtare e Komisionit për buxhet dhe financa.

“Kërkesa e qeverisë se Kosovës ndaj Kuvendit, që te miratojë raportin e komisionit ndërministror për privatizimin e PTK-së, thjesht nuk ka kuptim. Një kërkesë e tillë duhet të refuzohet nga Kuvendi dhe nga kryesia e Kuvendit. Me fjalë të tjera, nuk ka bazë ligjore që Kuvendi të miratojë vendimin e Komisionit Ndërministror për privatizimin e aseteve publike, ku bëhen pa vendimin paraprak të Kuvendit që lejon inicimin e privatizimit”, tha nga ana tjetër Naser Osmani, nënkryetar i Komisionit për buxhet dhe financa.

Sipas LDK-së, Kuvendi i Kosovës nuk duhet të sfidohet me vendime të tilla që nuk kanë bazë ligjore. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie në Kuvend, insistimi i qeverisë nëpëmejt grupit parlamentar të PDK-së, mbështetur nga partitë e tjera, përbën dhunim të demokracisë.

Top Channel