Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka reaguar ndaj ngritjes së aktakuzës për 11 pjesëtarë të saj nga ana e EULEX-it, në lidhje me keqtrajtimin e shoqëruesve të ministrit serb për Kosovën, Aleksandar Vulin gjatë vizitës së tij në Graçanicë.

Në një komunikatë ministria kosovare bën të ditur se për këtë aktakuzë është informuar vetëm nga mediat dhe vlerëson se mosbesimi i treguar ndaj Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe marrja e rastit nga EULEX-i, pa përfillur IPK-në si institucion i mandatuar për të hetuar të gjitha rastet ku dyshohet se pjesëtarët e PK-së janë të përfshirë në vepra penale, ka zbehur kredibilitetin e gjithëpërfshirjes institucionale të të gjithë mekanizmave të thirrur për hetimin e rasteve në situata të tilla si kjo e fundit.

“Pa dashur të ndërhyjmë në punën dhe pavarësinë e institucioneve të gjyqësorit, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se përgjegjësia në rastin në fjalë është individuale në rast së ka fakte, por assesi përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet tërë grupit që ka qenë në detyrë”, thuhet në komunikatë.

Një ditë më parë EULEX ngriti aktakuzë kundër njëmbëdhjetë pjesëtarëve të Njësisë për Operacione Speciale të Policisë së Kosovës. Ata akuzohen për keqtrajtimin e disa serbëve.

Policia e Kosovës i kishte arrestuar ata më 7 janar të këtij viti pas liturgjisë në manastirin e Graçanicës. Dhjetë serbët, të cilët pretendonin se po i ofronin siguri Aleksandar Vulin, u  mbajtën në paraburgim për 48 orë.

Disa nga të ndaluarit, pas lirimit akuzuan policët kosovarë se i kishin rrahur gjatë kohës që ndodheshin në selinë e Gjykatës në Prishtinë. Sipas njoftmit të EULEX, të pandehurit akuzohen për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ose autorizimit publik për sulm dhe për kanosje.

Top Channel