
Ministria e Brendshme e Kosovës njofton se të premten, në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në pjesën Veriore të Mitrovicës ka filluar zyrtarisht integrimi i ish- pjesëtareve të MUP-it në Policinë e Kosovës.
Me këtë rast janë nënshkruar kontratat e punës me 16 zyrtarë policorë, si dhe është nënshkruar Deklarata e Betimit në përputhje me parimet dhe proçedurat e Policisë së Kosovës.
Nënshkrimit të kontratës së punës i ka paraprirë procesi i verifikimit të identitetit të tyre nga ana e Agjencisë së Regjistrimit Civil të MPB-së dhe verifikimit të së kaluarës së tyre nga ana e PK-së dhe EULEX-it, sqaron ministria në një komunikatë.
Pas nënshkrimit të kontratave të punës, zyrtarët e rinj të Policisë së Kosovës, nga e hëna, 16 dhjetor 2013, do të fillojnë trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, për t’u pajisur me njohuri lidhur me legjislacionin e Republikës së Kosovës, organizimin e brendshëm të PK-së, parimet dhe proçedurat, etj.
“Procesi i integrimit të pjesëtarëve të tjerë do të vazhdojë sipas dinamikës së paraparë, në përputhje me proçedurat e rekrutimit dhe kornizën ligjore të Policisë së Kosovës”, përfundon komunikata.
Top Channel