
Burime politike kanë bërë të ditur se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për të rrëzuar aktin normativ të qeverisë për statusin e nëpunësit civil.
Gjykata ende nuk e ka zbardhur vendimin dhe argumentimin e tij, por lajmi konfirmohet për Top Channel nga burime të opozitës, që e lajmëruan së pari këtë vendim, por edhe ata të mazhorancës më pas.
Mësohet se gjyqtarët kanë vendosur ta konsiderojnë aktin si të papajtueshëm me Kushtetutën, duke pranuar argumentimin e Partisë Demokratike.
Por për të kuptuar arsyet që çuan gjykatën të rrëzojë aktin duhet të pritet edhe argumentimi zyrtar që do të publikohet në ditët që vijojnë.
Me rrëzimin e këtij akti hyn në fuqi ligji i miratuar pranverën e kaluar, në prag të zgjedhjeve, edhe pse për këtë ligj deri në shtator kur mori detyrën qeveria e re, nuk ishin hartuar aktet nënligjore.
Vendimi i Kushtetueses pritet të hapë një debat jo vetëm politik, por edhe juridik, ndërkohë që do të shihet edhe se cili do të jetë reagimi i mazhorancës për këtë çështje.
Top Channel