
Kosova dhe Serbia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik, por nuk arritën marrëveshje për gjykatat në veri, as në raundin e 20-të të dialogut në Bruksel, që sipas kryeministrit Hashim Thaçi “nuk ishte i fundit”.
Pala kosovare konfirmoi fillimisht se nuk ishte arritur marrëveshja, pavarësisht pajtimit se “duhet të ekzistojë një sistem unik drejtësie”, “në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Marrëveshjes së 19 prillit”, sipas kryeministrit Thaçi, i cili rikujtoi se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të raportojë ndaj vendeve anëtare për progresin e arritur.
Për kryeministrin Daçiç, “Catherine Ashton ka deklaruar që në fillim se do të dëshironte, që institucionet serbe të mos ekzistonin në Kosovë. Duhen respektuar institucionet e Prishtinës, por njëkohësisht duhet respektuar edhe veçantia e veriut”.
Pala serbe e konsideron të papranueshme përfshirjen e komunave shqiptare në kompetencat e gjykatës së Mitrovicës. Grupet e punës do të vijojnë negociatat edhe gjatë fundjavës, për të gjetur një kompromis për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës, përpara takimit të së martës në Këshill, kur ministrat e BE-së do të diskutojnë, mes të tjerash, edhe për datën e nisjes së bisedimeve me Serbinë për anëtarësim. Për këtë, Beogradi kushtëzohet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.
“Nënshkrimi i marrëveshjeve për arbitrazhin dhe ndërtimin e institucioneve tregojnë qartë se komunitetet e biznesit e mbështesin në tërësi normalizimin e raporteve, siç e parashikon marrëveshja e prillit”, u shpreh Ashton, në deklaratën për shtyp lëshuar menjëherë pas firmosjes, nga Safet Gërxhalliu dhe Jelko Sertiç, respektivisht kryetarët e Dhomave të Tregtisë për Kosovën e Serbinë, me homologun e tyre europian, Arnoldo Abruzini.
Serbia firmosi dhe anëtarësimin pas dy vjetësh, në Agjencinë Europiane të Mbrojtjes, megjithëse pjesëmarrja e saj kushtëzohet për çdo aktivitet nga vendimmarrja e 28 shteteve anëtare.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel