Dy studentë janë plagosur pas disa të shtënave në një shkollë të Kolorados, ka bërë të ditur sherifi i kontesë Arapahoe.
Një student, i cili besohet të jetë personi agresor në shkollë, është gjetur i vdekur pas një plage në dukje nga një vetëplagosje me armën e tij, tha sherifi.
Ai shtoi se agresori ishte duke kërkuar për një mësues specifik, i cili ishte larguar nga shkolla. Një student, i cili u konfrontua me agresorin, u qëllua gjithashtu. Ende është e paqartë se si mori plagë të lehta një student tjetër.
Shkolla dhe zona përreth saj u rrethuan nga forca policore, teksa sherifi Grayson Robinson theksoi se kërcënimi kishte përfunduar.
Sapo dolën raportet e para për të shtëna në një shkollë, policia e armatosur rëndë dhe e trajnuar në skenare me të shtëna të vazhdueshme u gjend menjëherë në vendngjarje, duke urdhëruar studentët të dilnin jashtë me duart të ngritura pas koke.
Brenda ambienteve të shkollës, ata gjetën të vdekur agresorin e dyshuar, si dhe dy studentë të tjerë të plagosur, njëri prej të cilëve kishte marrë një plagë të lehtë, tha Robinson.
Policia publikoi më vonë edhe emrin e agresorit-viktimë, Karl H. Pierson, 18 vjeç. Shkolla kishte mbi 2200 studentë dhe 70 klasa mësimore.
Ndërtesa gjendet vetëm 13 km në lindje të gjimnazit Columbine në Littleton të Kolorados, vend që u përfshi nga disa të shtëna masive në shkollë gjatë prillit të 2009-s, ku mbetën të vdekur 14 studentë.
Të shtënat e sotme ndodhën vetëm 1 ditë përpara përvjetorit të agresionit në Newtown të Connecticut, në të cilën mbetën të vrarë 20 nxënës të një shkolle fillore dhe 6 punonjës të saj, pikërisht në “Sandy Hook”.
Top Channel