Të paktën 13 persona janë vrarë nga një sulm ajror ndaj një autokolone dasme në jug të Jemenit, bëjnë të ditur zyrtarët.
Sulmi ndodhi pranë rajonit të Radda-s, në provincën al-Bayda, një fortesë e njohur e al-Qaeda-s.
Ende nuk është e qartë se çfarë tip avioni ndërmori sulmin, megjithatë disa rezidentë lokalë thanë se ishte një dron (avion i telekomanduar).
Shtetet e Bashkuara kanë pranuar përdorimin e dronëve, si pjesë e mbështetjes së tyre për përpjekjet e Jemenit në luftën kundër militantëve ekstremistë, por asnjëherë nuk kanë komentuar mbi sulme selektive, duke mos dhënë informacione për asnjë prej akteve të kryera deri më tani.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se sulmet amerikane me dronë në Jemen kanë shkaktuar viktima në mënyrë të paligjshme.
Pavarësisht operacioneve antiterroriste, al-Qaeda në Gadishullin Arab (AQAP) mbetet aktive në Jemen. Javën e kaluar, AQAP njoftoi se kishte ndërmarrë një sulm ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Jemenit në kryeqytetin Sanaa, për shkak se avionët e telekomanduar niseshin të operonin nga aty.
Ai sulm la të paktën 52 të vdekur, përfshi këtu ushtarë, civilë dhe të huaj, duke shënuar sulmin më vdekjeprurës në Sanaa që prej majit 2012, kur një kamikaz u hodh në erë gjatë provave të një parade ushtarake.
Top Channel