Frikë dhe tensione në gadishullin korean

13/12/2013 00:00

Ekzekutimi i xhaxhait të Kim Jong-un, dikur me shumë pushtet, ka ngjallur frikë për trazira në vendin më të izoluar të botës, që më pas mund të pasqyrohen në gjithë rajonin.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Kawn-jin deklaroi gatishmërinë maksimale nga ana e Seulit që po ndjek me kujdes zhvillimet në fqinjin e tij verior. Ai tha se ekzekutimi i njërit prej udhëheqësve më me zë të ushtrisë koreano-veriore mund të përkthehet si një lëvizje e Kim Jong-un për të drejtuar vendin nëpërmjet terrorit.

Chang Song-thaek u ekzekutua nën akuzën e tradhëtisë së lartë dhe korrupsionit. Ai u arrestua gjatë një mbledhje të komitetit drejtues të Partisë Komuniste në Penian dhe pak ditë më vonë u pushkatua.

Lajmi u njoftua nga televizioni shtetëror koreano-veriore shoqëruar me një gjuhë të ashpër propagande kundrejt njeriut që deri vonë qëndronte në krahun e djathtë të Kim Jong-un. Televizioni shtetëror e përshkroi atë si një “politikan karrierist të sëmurë”.

Ministri i Ribashkimit në qeverinë e Koresë së Jugut, Ryoo Kihl-Jae paralajmëroi se pushkatimi i Chang Song-Thaek mund të pasohet nga stërvitje ushtarake masive në veri, përfshirë ndoshta edhe ndërmarrjen e një testi tjetër bërthamor.

Para parlamentit vendas, Kihl-Jae tha se tensionet e brendshme, Veriu komunist i përcjell duke i përshkallëzuar ato në gjithë rajonin.

Ngjarjet e fundit janë komentuar shkurtimisht edhe nga Kina, fqinja dhe aleatja historike e Koresë komuniste. Nga Pekini, një zëdhënës i Ministris së Jashtme kineze i cilësoi zhvillimet si “cështje të brendshme të një vendi fqinj, që shpreson se do të vazhdojë të ruajë stabilitetin e tij”.

Në shkurt, Koreja e Veriut kreu me sukses testin e saj të tretë bërthamor duke ngjallur reagimin e fortë ndërkombëtar.  

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta