
Përfaqësuesit e pakicave në Kuvendin e Kosovës kërkojnë vazhdimin e mandateve të rezervuara në Parlamentin e Kosovës.
Kjo kërkesë është jashtë pakos së presidentit Ahtisaari për Kosovën, por edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, pasi vendet e rezervuara parashikohen vetëm për dy mandate, e jo më shumë.
Megjithatë, përfaqësuesit serbë, pas një takimi që zhvilluan me zyrtarë të ambasadave të ndryshme në Prishtinë, thanë se kërkesa e tyre po mbështetet edhe nga faktori ndërkombëtar.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, tha se qëllimi i tyre është që të sigurohet mbështetja në nivel politik, parlamentar dhe qeveritar, nga përfaqësuesit e shumicës që të propozohet ndryshimi i Kushtetutës.
Sipas ministrit Rashiç, kërkesa do të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, situata e krijuar pas zgjedhjeve lokale në veri duhet shfrytëzuar për të integruar komunitetin serb në jetën institucionale, duke iu garantuar përfaqësim në Kuvend.
Aktualisht, legjislatura kosovare ka 25 deputetë nga komunitetet. 20 nga ata kanë pasur vende të rezervuara, ndërkohë 5 janë zgjedhur nga populli.
Në këtë mënyrë do të mundësohen që, në dy mandatet shtesë, komunitetet jo-shumicë të kenë të drejtën e vendeve të rezervuara në Kuvend, por kësaj i shtohen ato, që do të fitonin me vota të elektoratit. Kërkesa e përfaqësuesve serbë është kundërshtuar nga partitë politike kosovare.
Top Channel