Kryetari i Komunës Qendër në Shkup, Andrej Zhernovski, ka formuar një komision në kuadër të institucionit që drejton, i cili ka për detyrë të hetojë rrethanat në të cilat është vendosur përmendorja e Car Dushanit dhe 14 monumenteve të tjera, në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, pa leje nga komuna.

Zhernovski, këto përmendore i ka quajtur ilegale, pasi – sipas tij – për vendosjen e tyre nuk ekziston asnjë dokumentacion. Ai është zotuar se nuk do të tolerojë objekte të vendosura në mënyrë jo ligjore në qendër të Shkupit dhe ka paralajmëruar largimin e tyre, përfshirë edhe monumentin e Car Dushanit.

Sipas kreut të Komunës Qendër, këto përmendore janë vendosur si pjesë e pazareve politike të partnerëve të koalicionit qeveritar, për të nxitur tensione të kontrolluara ndëretnike dhe për të përfituar politikisht.

Ndërkohë, portali informativ në gjuhën maqedonase “Plusinfo” ka raportuar të enjten se, monumenti i sundimtarit serb është porositur nga qeveria e Maqedonisë dhe është paguar me parà të shtetit. Por, informacionet e këtij portal, që njihet si i afërt me opozitën maqedonase, nuk janë konfirmuar nga zyrtarët shtetëror.

Edhe përkundër reagimeve të shumta dhe tentativave për ta rrënuar përmendoren e Car Dushanit, ende asnjë nga institucionet nuk ka marrë përgjegjësi për vendosjen e monumentit.

Sipas informacioneve jozyrtare, është e mundur që partnerët e koalicionit, përmes një marrëveshjeje politike, të marrin vendim për dislokimin e përmendores së Car Dushanit, nga qendra e Shkupit në ndonjë lagje, ku shumica e popullsisë është serbe.

Top Channel