“Lufta e dytë” e sirianëve, ajo ndaj dimrit

12/12/2013 15:10

Organizata e Kombeve të Bashkuara e konsideroi veten si “tejet të shqetësuar”, për kushtet në të cilat po jetojnë refugjatët sirianë në Liban, teksa i gjithë vendi është përfshirë nga ngrica dhe temperaturat nën zero.

Era e fortë dhe rreshje të dendura dëbore kanë karakterizuar këto ditë Dhjetori në Luginën e Bekës, ku janë ngritur mbi 200 kampe të pritjes së refugjatëve sirianë.

Komisionerja e OKB-së për Refugjatët theksoi se është duke “punuar më shumë se kurrë” për të siguruar mirëqënien e 800 mijë refugjatëve të ndodhur në vend.

Megjithatë, ajo shtoi se UNHCR përballet aktualisht me mundësi të kufizuara financiare për të asistuar qindra mijëra refugjatët.

Aktualisht, ushtria libaneze ka pranuar të bashkëpunojë dhe po punon intensivisht në operacionin e shpërndarjes së veshjeve, batanijeve e medikamenteve të tjera.

Rreth 2,5 milionë sirianë ndodhen në vendet kufitare, ku kanë shkuar për t’i shpëtuar luftimeve.

Aktualisht, numërohen 838 mijë sirianë në Liban, 567 mijë në Jordani, 540 mijë në Turqi, 207 mijë në Irak, 129 mijë në Egjipt dhe disa dhjetëra mijëra në vende të tjera.

6,5 milionë sirianë konsiderohen aktualisht refugjatë brenda Sirisë, pasi kanë braktisur banesat e tyre të shkatërruara nga luftimet apo të ndodhura në zonat e nxehta të frontit.

Top Channel