Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga tha se prioritet i angazhimit të saj është ndërtimi i institucioneve me standardet e përparuara perëndimore, si fokus kryesor integrimin e vendit në OKB, BE e NATO, duke e bërë të qartë se Kosova do ta ruajë karakterin laik të shtetit.

Megjithatë, gjatë gjithë fjalimit të saj të gjatë, presidentja askund nuk foli për angazhimet e saj vjetore në cilësinë e të parës së vendit.

Kosova ka përmbyllur një proces të suksesshëm të zgjedhjeve lokale, tha presidentja, por ajo nuk raportoi se çfarë po ndodh me procesin e reformës zgjedhore. Jahjaga theksoi se dialogu me Serbinë është mënyra e vetme për të vendosur paqen dhe stabilitetin, si dhe për të garantuar përparimin e vendit.

Presidentja theksoi se institucionet përgjegjëse do ta kenë të vështirë, që të ndërtojnë besimin e qytetarëve të saj, nëse lufta kundër korrupsionit nuk bëhet përparësi dhe nëse ajo nuk jep rezultat.

Në fjalimin e saj raportues para Kuvendit, presidentja Jahjaga u ndal edhe në një çështje të ndjeshme.

“Ne duhet ta ruajmë karakterin laik të shtetit tonë, ashtu siç e kemi përcaktuar me Kushtetutë”, tha Jahjaga. Presidentja pranoi, që shteti po sfidohet me problemin e radikalizmit. Siç tha ajo, me këtë po përballen edhe vendet e tjera, që kanë shtetas të tyre të përfshirë në konfliktin në Siri. Më tej kërkoi, që qytetarët të mos përfshihen në luftra të tjera, kudo në botë, qoftë për ideologji apo të mira materiale.

“Kosova nuk ka qenë asnjëherë vatër e krizave dhe konflikteve fetare, por një vend ku parimi i tolerancës ndërfetare është vlerë themelore e shtetit, mbi të cilin edhe është ndërtuar. Ne jemi shtet edhe i muslimanëve, edhe i katolikëve, edhe i ortodoksëve, edhe i të gjitha besimeve të tjera, si dhe jobesimtarëve, po aq sa jemi shtet i qytetarëve të të gjitha komuniteteve, që jetojnë në të. Ne jemi vend i vogël për të bartur pasojat e ekstremizmit, të cilitdo lloji, por jemi një vend i rreshtuar qartë dhe plotësisht në anën e forcave demokratike në botë, që po synojnë të vendosin paqen dhe të largojnë diktatorë”, tha Atifete Jahjaga.

Presidentja foli për probleme të mëdha ekonomike, ku iu bëri thirrje qytetarëve, që të mos braktisin Kosovën, por – siç tha – të qëndrojmë bashkë për ta fuqizuar Kosovën.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partitve parlamentare, fjalimin e presidentes e kanë vlerësuar si politik e me ripërsëritje të ngjarjeve të vitit të kaluar, por pa ndonjë realitet dhe përmbajtje konkrete. Madje, sipas opozitës, presidentja edhe një herë tregoi se nuk është e pavarur politikisht.

“Po, pikërisht vitin e kaluar, kur e kam dëgjuar, më ka bërë përshtypje dhe kam pritur rezultatet e saj në muajt në vazhdim. Por, meqë këto nuk kanë sjellë rezultate dhe kanë mbetur në rrafshin deklarativ, dëshirojmë që kësaj radhe, këto nënvizime që bëri të mos mbesin kështu, siç kanë mbetur në vitin që lamë pas”, tha Halit Krasniqi, deputet i PDK-së.

“Unë besoj se presidenti i vendit duhet të jetë me konçiz, më shumë konkret dhe duhet ta thotë atë që një president, sipas funksionit që ushtron të pavarur, ta thotë me pavarësi të plotë. Presidentja e vendit, edhe nga ky fjalim, ka treguar se nuk është e pavarur nga ndikimet politike dhe më shumë i është përmbajtur axhendës politike, e cila ka ndodhur vitin e kaluar”, tha Armend Zemaj, deputet i LDK-së.

“Mendojmë që, puna e presidentes përgjatë vitit nuk ka qenë asgjë tjetër, përveç se lehtësim dhe pranim jo kritik i punës së qeverisë dhe, në këtë drejtim, konsiderojmë se ajo po i shërben shumë më shumë qeverisë, se sa po luan rolin e vet të presidentes. Ne jemi veçanërisht kritik, ndaj mënyrës se si ajo e ka pritur dialogun me Serbinë, pa kurrfarë kushtesh, dhe shkeljet e Kushtetutës, që i janë bërë me ligjin për amnistinë, ndaj dhe jemi të shqetësuar se si presidentja e vendos në nivel prioritetesh këtë dialog, jo për ta kritikuar, që nënkupton se ajo edhe në vitin e ardhshëm do ta ketë këtë qëndrim ndaj kësaj të stërkeqeje që po i bëhet të ardhmes së Kosovës”, tha Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Fjalimi vjetor i presidentes është detyrim kushtetues, ku çdo udhëheqës shteti detyrohet të informojë deputetët dhe opinionin për punën dhe angazhimin njëvjeçar.

Top Channel