Vepra e Podrimjes në Serbi

11/12/2013 00:00

“Çelësi i Humbur” i Ali Podrimjes ka tentuar të hapë një rrugë të re bashkëpunimi mes letërsisë nga Kosova dhe Serbia. Një botim në gjuhën malazeze është promovuar në kryeqytetin serb nga Organizata e Malazezëve të Kosovës.

Shkrimtarë, politikanë dhe zyrtarë kanë thënë se Podrimja ishte i njohur në ish-Jugosllavi dhe se, me kulturë ka nisur lufta dhe me atë duhet të vijë paqja.

“Nëse me kulturën kanë nisur përçarjet në këto hapësira, atëherë dua të besoj se po me të duhet të ndryshojë situata dhe Ali Podrimja është një emër i mirë për të filluar”, ka deklaruar shkrimtari Filip David.

“Falenderoj Shoqatën e Malazezëve të Kosovës për këtë punë të shkëlqyer në përkthimin e poezive të Ali Podrimjes. Falenderoj edhe përkthyesin për kontributin e palodhur. Kjo vepër do të sjellë kalimin e barrierave dhe paragjykimeve që ekzistojnë ende në rajon”, u shpreh nga ana tjetër Valdet Sadiku, zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd.

“Në luftërat e fundit ka pasur shumë shkrimtarë që kanë marrë pjesë në të” ende pa filluar mirë të shtihet me pushkë”, ka thënë më tej Basri Çaprici nga PEN Qendra e Kosovës.

Libri me poezi i Podrimjes është nga librat e rrallë të përkthyer në dekadat e fundit në gjuhën që dikur quhej serbo-kroatisht.

Top Channel