Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë çertifikoi 37 kryetarë komunash nga 38 të tillë që u votuan në zgjedhjet lokale.

Komuna e Parteshit është e vetmja në të cilën do të përsëriten zgjedhjet për kryetar komune më 15 dhjetor, ndërsa për të tjerat nuk ka pasur asnjë ankesë.

“Nuk ka asnjë ankesë serioze që do të ndikojë në rezultat, prandaj mund të proçedojmë me çertifikimin e rezultateve”, ka thënë kryetarja Valdete Daka gjatë mbledhjes.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan në unanimitet çertifikimin e secilit kryetar komune, përveç atyre serbë kundër të cilëve ishte anëtari i lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Mes kryetarëve të çertifikuar janë edhe Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt, i cili gjendet në parapurgim dhe Nexhat Demaku nga Drenasi, duke u mbrojtur në liri për hetimin e EULEX për krime lufte.

Procesi zgjedhor u konsiderua si shumë më i mirë se vitet e kaluara, falë bashkëpunimit të mirë mes KQZ, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.

Në këtë mbledhje u çertifikuan edhe këshilltarët e komunave. Betimi i kryetarëve të zgjedhur do të bëhet brenda 30 ditësh, ndërsa i kuvendeve komunale brenda 15 ditësh.

Top Channel