Posta Shqiptare risjell biçikletën në shërbimin postar si një mënyrë ekologjike me kosto më të ulët dhe më të shpejtë. Gjithçka është promovuar në kuadër të 101-vjetorit të krijimit të saj, ndërsa kjo sipas drejtorit Ardit Çela tregon jo vetëm përgjegjësinë ndaj komunitetit dhe mjedisit, por dhe një formë inovative e punësimit rinor.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë që do të ulë kostot e shërbimit dhe do të sjellë një nivel të performancës sonë më të lartë ndaj qytetarëve. Ky është një projekt, i cili është parë të jetë i shtrirë në kohë dhe të jetë i përbërë nga disa faza. Kjo është vetëm faza e parë, ndërkohë që në fazat e tjera do të kemi mundësinë të bëjmë lajmërimet përkatëse, duke ftuar të gjithë të rinjtë që të aplikojnë për t’u punësuar pranë Postës Shqiptare dhe për të qenë pjesë e sistemit elitar të shpërndarjes, i cili do të krijohet pranë Postës Shqiptare”, u shpreh Çela.

Ndërkaq, ky shërbim për Postën Shqiptare do të ketë një kosto më të ulët krahasuar me amortizimin dhe mirëmbajtjen e makinave dhe motorëve, çka do të thotë se paratë e kursyera do të shërbejnë për të mbështetur dhe zgjeruar këtë shërbim si dhe duke hapur vende të tjera pune në të ardhmen.

Iniciativa “Postierët e Rinj me Biçikleta” do të jetë një projekt që fillimisht do të nisë me qytetin e Tiranës dhe më pas do të vazhdojë të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, sidomos në ato qytete të cilët kanë një trafik më të lartë, por dhe një shpërndarje më të gjerë. Nëpërmjet kësaj nisme, Posta Shqiptare është e bindur se postierët e rinj me biçikleta do të jenë jo vetëm një risi, por edhe një shërbim efiçent ndaj komunitetit dhe biznesit.

Top Channel