Në nderim të Nelson Mandelas

10/12/2013 00:00

Mijëra afrikano-jugorë iu bashkuan dhjetra udhëheqësve botërorë në sherbesën përkujtimore të Nelson Mandelës, në stadiumin e qytetit të Johanesburgut, pikërisht aty ku u luajt finalja e Kupës së Botës 2010 dhe ku udhëheqësi kundër aparteidit bëri daljen e tij të fundit publike.

Pjesëmarrës në ceremoni, presidenti amerikan, Barack Obama e quajti Mandelën “gjigant të historisë”. “Bota ju falenderon ju sot që ndani me ne Nelson Mandelën”.

Mandela ndërroi jetë të enjtën e shkuar, në moshën 95-vjeçare. Që prej asaj dite, në Afrikën e Jugut ka nisur maratona e ceremonive përkujtimore, që do të mbyllen me funeralin, ditën e dielë më 15 dhjetor.

Shërbesa në nder të Mandelas shërbeu edhe për një shtrëngim duarsh mes presidentit amerikan, Barack Obama dhe atij kuban, Raul Castro. Turma e njerëzve të mbledhur në stadium pritën me ovacione kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqës të tjerë botërorë, ndërsa nuk kurseu fërshëllimat për presidentin aktual të vendit, Jakob Zuma, të cilin e akuzojnë për tradhëti ndaj idealeve të Mandelas.

“Është e vështirë të përshkruash një njeri pas largimit të tij…sa e vështirë është të përshkruash një gjigant të historisë, i cili lëvizi një komb të tërë në rrugën e drejtësisë. Ne nuk do të mund të shohim më Mandelën, por ai do të mbetet në mendjen time si frymëzues për të qenë një njeri më i mirë”, tha ndër të tjera Obama.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun tha se kudo “ndjehej keqardhje për humbjen e madhe, por edhe festë për jetën e madhe të Mandelas”. “Afrika e Jugut humbi atin e saj. Ai ishte një nga mësuesit tanë më të mëdhenj, që sakrifikoi kaq shumë dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte sërish për lirinë dhe demokracinë”, tha Ban Ki Mun.

E gjithë shërbesa në nderim të Mandelas pritet të zgjasë për më shumë se katër orë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB