
Tre ministra të kabinetit qeveritar janë ndalur në takimet me drejtuesit më të lartë të politikës holandeze, vend i cili është shfaqur më strikti në kërkesat për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ai i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Klajda Gjosha e Integrimit po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Hagë, kur na ndan vetëm një javë nga vendimi i Këshillit Europian për statusin.
Pas takimit në Dhomën e Ulët, Senat dhe atij me kryeministrin holandez, shefi i diplomacisë shqiptare ka thënë për Top Channel se, pavarësisht se nuk është marrë ende një vendim dhe diskutimi për Shqipërinë do të jetë të mërkurën nga ana e Parlamentit holandez, është një inkurajim i madh fakti që Holanda dhe vende të tjera të BE-së janë njohur me reformat e tre muajve të fundit.
“Pritshmëritë tona janë realiste. Jam i inkurajuar nga fakti që Holanda njeh zhvillimet pozitive në Shqipëri. Ne presim që çështja e statusit të konsiderohet një nevojë logjike për përpjekjet që kanë bërë qeveritë dhe populli shqiptar ndër vite”, ka deklaruar për TCH ministri Bushati.
Vizita në Holandë e tre ministrave të kabinetit Rama përkon me publikimin e aktakuzës ndaj ish-ministrit Imami për korrupsion, luftën ndaj të cilit vendet anëtare e kanë vënë në krye të kërkesave ndaj Shqipërisë për anëtarësim.
“Përsa i përket korrupsionit vlerësohen përpjekjet e qeverisë, mbi të gjitha qasja etike që qeveria dhe kryeministri kanë dëshmuar ndaj atyre rasteve kur prokuroria ka nisur një hetim të caktuar. Nuk jemi përballur me kërkesa për korrupsion në nivele të larta, por lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë përpjekje që kanë të bëjnë me transformimin e shoqërisë shqiptare dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia”, ka nënvizuar Bushati.
Holanda, Gjermania, Franca dhe Anglia janë vende që ende nuk kanë marrë një qëndrim sesi do të votojnë në Këshill. Mesa duket, edhe në rastin e Shqipërisë do të përsëritet preçedenti i Serbisë, kur vendimi nuk u mor në nivel ambasadorësh dhe nivele të tjera teknike, por vetëm në mbledhjen e Këshillit Europian.
“Duan që të kenë informacion deri në çastin e fundit. Të gjitha opsionet janë të hapura deri më 17 dhjetor. Siguroj opinionin publik shqiptar se përpjekjet tona në rrugën drejt integrimit do të vazhdojnë”, ka shtuar Bushati.
Top Channel