Delia fiton Bienalen e Firences

10/12/2013 00:00

Çmimi i parë i Bienales së 9 Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Firences u fitua nga artisti shqiptar, Xhovalin Delia.

Vepra e tij multimediale, Bing Bang, u vlerësua mes 450 veprave të po aq artistëve të ardhur nga e gjithë bota, në këtë takim të rëndësishëm artistik.

Instalacioni i artistit shqiptar ka si bosht konceptin e ndërlidhjes dhe harmonisë.

Çmimi i lartë “Lorenzo il Magnifico” kurorëzon kështu talentin e Xhovalin Delisë, i cili prej shumë vitesh jeton në Firence.

Një artist, që shprehet jo vetëm në pikturë, videoart apo instalacione, por edhe në teatër e kinematografi, me një preferencë të veçantë për filmin vizatimor.

Duke ndjekur idenë se arti nuk ka kufij kombesh, shtetesh apo kulturash, ai ka në qendër të krijimtarisë së tij, si objekt artistik, njeriun, misterin e ekzistencës.

Xhovalin Delia, i lindur në vitin 1959, njihet jo vetëm për krijimtarinë artistike, por edhe për atë letrare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Jo rallë, shkrimet e tij zënë faqet e shtypit të shkruar shqiptar.

Top Channel