Zyrtarët e BDI-së, partisë shqiptare pjesëmarrëse në qeverinë e Maqedonisë, kanë pranuar se mesnatën e së shtunës kanë marrë pjesë në tentimin për ta rrënuar përmendoren e Car Dushanit.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti tha se partia të cilës i takon ajo nuk do të lejojë asnjëherë që me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në qendër të Shkupit të ngrihen përmendore të figurave kontroverse si ajo e Car Dushanit, që ka masakruar shqiptarët.

“Mos të mendojë askush dhe opinioni së paku, se është kollaj që funksionarë dhe zyrtarë të lartë të një partie politike të dalin në shesh dhe të jenë pjesë e një tentimi për të rrënuar një figurë kontroverse. Çmimin të cilin e paguajmë ne është i madh, por çmimi ka të bëjë me përcaktimin tonë për një perspektivë evropiane të Maqedonisë dhe pajtimin mes komuniteteve. Në instancë të fundit, çështja nëse ishte akt vandal apo jo është çështje interepretimi”, ka deklaruar Mehmeti.

Por, për Partinë Demokratike Shqiptare në opozitë, tentativa e BDI-së për të rrënuar përmendoren e Car Dushanit është mashtrim dhe nënçmim i inteligjencës së shqiptarëve nga ana e zyrtarëve të partisë së Ali Ahmetit.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu nga foltorja e Kuvendit u dhuroi një çekan gome kolegëve të tij nga BDI-ja dhe i porositi që projektet anti-shqiptare t’i parandalojnë në institucione, ku duhet t’i përfaqësojnë shqiptarët.

“Vazhdojnë edhe më tej të mos ndërmarrin asgjë në Parlament dhe qeveri, por bëjnë aksione të këtilla për mashtrimin dhe manipulimin e opinionit. Qytetarët sot mu lutën mua që t’ua dorëzoj çekanin deputetëve të BDI-së dhe thanë që t’ua bëj me dije atyre se me këta lloj çekanësh nuk mund të rrëzojnë Car Dushanin”, ka thënë Fazliu.

Ndërkohë ka reaguar edhe partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, e cila e ka quajtur akt vandal tentativën për ta rrënuar përmendoren e Car Dushanit. Partia maqedonase në pushtet ka ftuar institucionet të veprojnë sipas ligjit kundër të gjithë atyre që kanë dëmtuar monumentin.

Top Channel