Afrika Qendrore, vriten dy ushtarë francezë

10/12/2013 00:00

Dy ushtarë francezë janë viktimat e para të operacionit të Parisit për t’i dhënë fund kaosit në Republikën e Afrikës Qendrore.

Lajmi u njoftua nga zyra e shtypit e Presidencës francez, sipas të cilës dy ushtarët humbën jetën gjatë natës në kryeqytetin e vendit, Bangui.

Këto janë vdekjet e para në radhët e trupave franceze, që kur Parisi zbarkoi 1600 trupa në vendin afrikan në një mision të mbështetur edhe nga Kombet e Bashkuara, për t’i dhënë fund kaosit dhe në mbrojtje të civilëve.

Trazirat në vendin më të varfër në botë nisën kur Michel Djotodia, kreu i rebelëve rrëzoi presidentin Francois Bozize në muajin mars duke u vetëshpallur si presidenti i parë musliman i vendit. Kaq mjaftoi që mes shumicës së krishterë dhe pakicës muslimane të nisnin përleshjet e ashpra të armatosura.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se mijëra persona kanë humbur jetën që nga muaji mars, 400 prej të cilëve vetëm 3 ditët e fundit nga përleshjet në kryeqytetin e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB