Ushtria siriane mori nën kontroll rrugën, që lidh Damaskun me qytetin e Homsit.
Kjo rrugë qëndronte e mbyllur prej disa javësh, pas luftimeve të ashpra me kryengritësit në malet Kalamun, në kufirin me Libanin.
Ushtria siriane shtriu kontrollin dhe në Nabak, qytetin shumë pranë rrugës, që ndodhet 80 km në veri të Damaskut.
Ajo do të jetë shumë e rëndësishme për transportimin e armëve kimike në portet, nga ku do të ngarkohen në anije.
Norvegjia dhe Danimarka kanë ofruar anije tregtare, që do të transportojnë armët kimike jashtë vendit, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të garantojnë anijen, ku do të bëhet asgjësimi i tyre.
Funerali i Nelson Mandelës
Liderët botërore nisen drejt Afrikës së Jugut për t’i dhënë lamtumirën
Udhëheqës botërorë janë nisur për në Afrikën e Jugut, për të marrë pjesë në funeralin e Nelson Mandelës, udhëheqësi i anti-Aparteidit, që vdiq javën e kaluar në moshën 95-vjeçare.
Presidenti amerikan, Barack Obama, u nis të hënën në mëngjes nga Uashingtoni, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Michelle Obama, dhe ish-presidenti, George W. Bush, si dhe gruaja e tij Laura.
Ish-presidentët, Bill Clinton dhe Jimmy Carter, po ashtu do të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore për nder të Mandelës.
George H. W. Bush (i vjetri) është i vetmi president i gjallë amerikan, i cili nuk do të marrë pjesë, pasi nuk është në gjendje të bëjë udhëtime të gjata.
Kryeministri britanik David Cameron, presidenti iranian Hassan Rouhani, presidenti kubanez Raul Castro dhe Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, po ashtu priten të marrin pjesë në ceremoni.
Marrëveshja për Detin e Vdekur
Shpëtimi nga tharja, pakti mes Izraelit, Jordanisë dhe Palestinës
Izraeli, Jordania dhe Autoriteti Palestinez priten të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit, që ka si qëllim të shpëtojë Detin e Vdekur nga tharja e shpejtë.
Marrëveshja, që do të nënshkruhet në Uashington DC, parashikon ngritjen e një tubacioni të gjatë 110 milje, i cili do të transportojë ujin nga Deti i Kuq në Detin e Vdekur dhe do të garantojë ujë të pijshëm për rajonin.
Niveli i Detit të Vdekur po bie me 1 metër në vit, ndërkohë që lumi Jordan po shterohet, sepse përdoret për vaditje.
Projekti, që pritet të kushtojë nga 250-400 milionë dollarë, është diskutuar prej vitesh.
Sipas analistëve, në kohën kur bisedimet e paqes kanë mbetur në vend, kjo marrëveshje ofron një mundësi për bashkëpunim të suksesshëm…
Top Channel