Siria, Rusia bllokon deklaratën e OKB-së

09/12/2013 00:00

Rusia ka bllokuar një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që
dënonte qeverinë siriane për përdorimin e sulmeve ajrore kundër civilëve
në qytetin e Alepos.

Sulmet përmes bombave dhe raketave “Scud” nga trupat e presidentit Bashar al Assad kanë vrarë qindra persona. Rusia, një aleate kyçe e Sirisë, muajin e kaluar bllokoi një deklaratë të ngjashme të hartuar nga SHBA.

Rusia, bashkë me Kinën, ka vendosur gjithashtu veton ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit që do të dënonin qeverinë siriane dhe do ta kërcënonin atë me sanksione.

Deklarata e fundit do të kishte shprehur irritimin e këshillit ndaj sulmeve ajrore nga qeveria siriane në Alepo, që janë kthyer në ngjarje të përditshme. Qyteti sirian, dikur një vatër biznesi për Sirinë, tani është i ndarë mes forcave rebele dhe atyre qeveritare.

Një diplomat i OKB-së i cituar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” deklaroi se Rusia paraqiti një seri amendamentesh që rrëzuan deklaratën, kështu që ajo nuk pati asnjë ndikim mbi situatën në Alepo.

Duke qenë se për të miratuar një deklaratë kërkohet konsensusi nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, drafti u bllokua menjëherë. Mbi 100 mijë persona janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë në Siri si pasojë e luftës thuajse 3-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA