Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi të hënën për mbylljen e agjenisë shtetërore të lajmeve “RIA Novosti”.
Sipas opozitës, ky akt përbën një tjetër hap drejt censurës gjithmonë e më të fortë që po vendoset mbi lirinë e shprehjes në vend.
Nëpërmjet një dekreti të papritur të publikuar në uebsajtin e Kremlinit, Putin lajmëroi se shërbimi i agjensisë shtetërore do të zëvendësohet nga gjigantët mediatikë të “Russia Today”.
“RT” konsiderohet si një media pranë regjimit, ndërsa “RIA Novosti”, edhe për shkak të klientëve ndërkombëtare që shërbente, kishte mbajtur një qëndrim neutral dhe ndonjëherë kritikues në pasqyrimin e ngjarjeve politike të viteve të fundit.
Shërbimi i ri i “RT” do të kryesohet nga gazetari i njohur për mbështetjen publike që i ka dhënë presidentit Putin, Dmitry Kiselev.
Radio shtetërore “Zëri i Rusisë” gjithashtu është mbyllur. Dekreti i Putinit kishte fuqi ligjore të menjëhershme.
Zyrtarisht, mbyllja e “RIA Novosti”-t u justifikua me barrën e rëndë financiare dhe bilancin shumëvjeçar me humbje, që paguhej prej taksapaguesve rusë.
Top Channel