
“Me ose pa të tjerët, ne do të bëjmë gjithçka na dha kombi, me shumicën
që na kanë dhënë shqiptarët në 23 qershor, që pas 4 vitesh të flasim
ndryshe, kur flasim për korrupsionin”.
Nëpërmjet kësaj deklarate Kryeministri Edi Rama edhe njëherë tjetër shprehu gatishmërinë në luftën ndaj korrupsionit, të cilën e quajti një luftë per jetë a vdekje, që do t’i shërbejë dhe t’i sjellë vendit zhvillim, ose ta lerë në prapambetje.
Këto komente shefi i Qeverisë shqiptare i bëri në Ditën Ndërkombëtare të Antikorrupsionit, ku është prezantuar struktura e strategjisë kombëtare për katër vitet e ardhshme, kundër korrupsionit. Kryeministri Rama e quajti nevojë parësore modernizimin e shtetit, nëpërmjet reformave strukturore për të mundur korrupsionin, një trashëgimi e keqe prej Qeverisë së shkuar, siç e theksoi ai.
“Dhe nëse ka diçka që e dallon qartë korrupsionin në Shqipëri nga korrupsioni në vende të tjera të BE-së është fakti se korrupsioni në Shqipëri është endemik, është në çdo qelizë të organizmit të shtetit, të cilin ne nuk duhet ta harrojmë për asgjë çast se nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Dhe për këtë arsye unë besoj se strategjia jonë antikorrupsion është një bazë për t’ia dalë me sukses, sepse adreson pikërisht problemin kompleks të një sistemi funksionimi të makinerisë së shtetit shqiptar, që është në fakt baza e korrupsionit”, tha Rama.
Sakaq ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi prezantoi detajet e kësaj strukturë-strategjie.
“Strukturë-strategjia që po ju paraqesim sot do të jetë një dokument ku do të paraqitet vizioni dhe shtyllat kryesore të ndara në tre kategori. Do të kemi qasjen parandaluese, qasjen ndëshkuese dhe qasjen edukuese. Qëllimi i kësaj strukture strategjie është të përfshijë të gjithë partnerët që të japin mendimet dhe kontributin e tyre për përcaktimin përfundimtar dhe zhvillimin e këtyre tre ndarjeve dhe objektivave përkatës”, tha Çuçi.
Nënkryetari i Prezencës së OSBE-së Robert Wilton kërkoi zbatueshmëri të draftit.
“Korrupsioni nuk është një gjë që po vjen me aeroplan në Rinas, ai gjendet këtu. Nevojiten urgjentisht masa konkretet për t’i dhënë fund këtij fenomeni, qytetarët duhet të dinë që po luftohet korrupsioni. Shërbimi në arsim dhe shëndetësi janë mjaft të dëmtuara nga korrupsioni. Qeveria nuk mund ta luftojë korrupsionin e vetëm por shoqëria civile, media biznesi ta mbështesin duke kontribuar në hartimin e strategjisë antikorrupsion dhe në zbatimin e ligjeve dhe raportimin e praktikave të korrupsionit””, tha Wilton.
Edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi e quajti këtë ndërmarrje të Qeverisë, si një strategji realiste, duke theksuar se niveli i qartësisë së politikave ndikon drejtpërdrejt tek ata që do e zbatojnë. ‘Lufta kundër korrupsionit është investim për të ardhmen po jo e lehtë’, u shpreh kryediplomati BE-së në Tiranë.
Top Channel