Jo vetëm dënim me burg për ata që shpallen fajtorë për korrupsion, siç ka ndodhur deri më tani, por edhe sekuestro të pasurive.

Ky është thelbi i projektligjit për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, i cili u diskutua në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Deputetët e maxhorancës u shprehen se këto ndryshime e avancojnë luftën ndaj korruspsionit, siç edhe kërkon BE-ja.

“Grupet e interesit dhe përfaqësuesit të organizmave ndërkombëtare duhet të jenë pjesë e diskutimit të Komisionit të Ligjeve, se s’mund të jenë tek ne. Te ruhet struktura e njësive hetimore, jo vetëm në bazë, por edhe në qendër”, tha deputeti Gramoz Ruci.

“Pse keni merak për këtë pjesën e konfiskimit të pasurisë? T’i konfiskohet pasuria, sikurse një krimineli i caktuar, pjesë e një klani mafioz të caktuar, që është në fushën e veprimit të ligjit aktual, i konfiskohet pasuria, kjo është gjëja më e mirë dhe lajmi më i mirë që ne i japim qytetarëve shqiptarë, që të korruptuarit, të mos mjaftohen vetëm me disa muaj burg dhe pastaj të shijojnë milionat e eurove, që i kanë nëpër banka të huaja, apo nëpër këllëfe jastëqesh, por sigurisht të vuajnë veprat për të cilat kanë vënë ato para të pandershme dhe këto para dhe këto pasuri të pandershme t’i kthehen publikut”, tha deputeti tjetër socialist Taulant Balla.

Megjithëse është një projektligj ndër më të rëndësishmit, që Qeveria i dërgon Parlamentit, opozita u përfaqësua në këtë Komision vetëm me dy deputetë, kryetaren e këtij Komisioni Majlinda Bregu dhe Jorida Tabaku. Ato ngritën shqetësimin se nuk janë marrë parasysh nga hartuesit e projektligjit rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë shqiptare.

“Sigurisht që opozita sot dhe dje në maxhorancë ishte iniciatore e ndryshimeve të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe njëkohësisht mbështet edhe sugjerimet e progresraportit, mbështet edhe iniciativën që keni marrë, por fryma e ndryshimeve të propozuara këtu nuk çon në luftën kundër korrupsionit është vetëm demagogji, e pengon e largon atë dhe ndryshimet praktikisht nuk do të kenë asnjë rezultat në nivelet e larta”, tha Tabaku.

“Besoj që ne do të kërkojmë tërheqjen e projektligjit, derisa ai të ketë reflektuar të gjitha rekomandimet e partnerëve ndërkombëtare. Jemi dakord që ky projektligj do të kalojë vetëm pasi të jenë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Bregu.

Paraditen e të martës ky projektligj pritet të diskutohet në Komisionin Parlamantar të Ligjeve ku parashikohen debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës.

Top Channel