Padi për korrupsion Arben Imamit

09/12/2013 00:00

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, është kallëzuar në prokurori nga ministrja që e pasoi në këtë detyrë, Mimi Kodheli, si i dyshuar se mund të ketë konsumuar të paktën tre vepra penale, më e rënda e të cilave është ajo e shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike.

Përveç ish-ministrit, dosja i është dorëzuar organit qendror të hetimit edhe për katër vartës të tij, konkretisht ish-drejtorin e DRSHM-së Shkëlqim Berisha, këshilltarin për median Mentor Beqa, nëndrejtorin e Qendrës së Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes Sokol Nezirajn, si dhe Nilka Sinën, shefe e logjistikës e QKMB. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli garantoi se dosja është përgatitur nga një grup ekspertësh që kanë shqyrtuar deri në detaje aferën korruptive.

“Sot, Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish-punonjësve të kësaj ministrie, për konsumin e veprës penale “shpërdorim detyre”, “shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, të parashikuara këto në nenet 248, 256 dhe 258 të Kodit të Proçedurës Penale të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kodheli.

Ajo theksoi se: “Në fakt, ky nuk është një kallëzim i zakonshëm. Kemi të bëjmë me një padi të mirëargumentuar, të përgatitur nga një grup ekspertësh, të cilët kanë shqyrtuar deri në detaje të gjithë këtë aferë korruptive dhe kanë dalë me konkluzionin se ‘kush ka qenë pjesë e kësaj proçedure, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë’”.

Megjithatë, ministrja e Mbrojtjes u tregua e rezervuar për të treguar konkretisht se për çfarë episodi kallëzohet i pari zyrtar i një niveli ministror nga kabineti Berisha. Sidoqoftë, jozyrtarisht bëhet me dije se afera e dyshuar ka lidhje me abuzimin e Ministrisë së Mbrojtjes për tre spote televizive të transmetuara në dy media kombëtare dhe që kapin shifrën e 99 milionë e 943 mijë e 488 lekëve të reja.

“I kërkoj në mënyrë të veçantë Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë duke investiguar mbi të gjitha këto veprime antiligjore që kanë çuar, sipas nesh, në shkelje të proçedurave dhe në një abuzim të madh me paranë publike”, nënvizoi Kodheli.

“Ndërkohë, mund t’ju them se nuk është aspak komode për mua dhe as për bashkëpunëtorët e mi për këtë veprim ndaj paraardhësit tim, por ju siguroj se kjo është gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara këtyre fakteve dhe provave të pamohueshme”, shtoi ajo.

Reagon Imami: Hakmarrje personale e Ramës

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka reaguar ndaj padisë së bërë ndaj tij nga drejtuesja e re e këtij dikasteri, duke e cilësuar atë si një hakmarrje personale të kryeministrit Rama.

“Akti i sotëm i Mimi Kodhelit, nga zyra e Kryeministrit dhe për llogarinë e tij, përfaqëson një akt primitiv hakmarrës personal, siç e kam thënë prej 2 vitesh. Sigurisht, ky është edhe plotësimi i kushtit për marrjen e detyrës së ministres së Mbrojtjes nga zonja në fjalë, e cila nuk ka asnjë bilanc”, ka deklaruar Imami.

Ai ka thënë se Rama ka dështuar në të gjitha akuzat e ngritura në dy vitet e fundit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për përgjime, armë të dërguara Gaddafit, pronat e ushtrisë, emërime të paligjshme, e të tjera.

“Të gjitha akuzat ranë. E vetmja gjë që nuk ra dhe nuk mund të bjerë është vendimi i një njeriu të çmendur për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale për deklaratat e mia publike për 21 janarin”, ka thënë Imami, i cili më tej ka akuzuar Ramën dhe Kodhelin.

“Të dy këta persona, ish-drejtues të institucionit më të korruptuar të shtetit shqiptar në këto 23 vite, pra Bashkisë së Tiranës kur e drejtonin atë, kanë qenë të detyruar të pranojnë se reformat në ushtri kanë qënë të sukseshme”, ka vijuar ai.

Ish-ministri ka shtuar më tej në deklaratën e tij se, “qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka pasur asnjë abuzim me ligjin dhe paratë e tyre”. 

Top Channel