Kosovarët pajisen me letërnjoftime biometrike. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi zyrtarisht ka dorëzuar letërnjoftimet e para biometrike, të cilat do të zëvendësojnë ato që janë përdorur deri tani. Ministri ka vlerësuar lartë cilësinë dhe sigurinë e këtij dokumenti. Qytetarët për një dokument të tillë do të paguajnë 10 euro.

“Prej sot fillon prodhimi vetëm i letërnjoftimeve biometrike, më nuk do të prodhohen letërnjoftimet e mëparshme. Ato kanë validitetin e tyre. Disa e kanë gati 10 vjet, mirëpo në faza të mëvonshme, nëse dikush do të udhëtojë me këto dokumente, nuk do të mundet, jo vetëm në rajon, por në të ardhmen edhe me pasaportat biometrike kur të fitojmë liberalizimin e vizave”, ka sqaruar Rexhepi.

“Afati është për 3 vite të furnizohen të gjithë qytetarët, por është interes i Kosovës që kjo të kryhet edhe më herët. Ka kapacitete për këtë, edhe kompania edhe personeli jonë dhe unë shpresoj se vitin e ardhshme, deri në 2015 më së largu, të gjithë do të furnizohen me letërnjoftime biometrike”, ka deklaruar ministri.

Sipas tij, me prodhimin e këtyre letërnjoftimeve do të lehtësohet edhe proçedura e marrjes së dokumenteve të tilla, por edhe e udhëtimit. Çmimi i përgjithshëm për këtë projekt është 7,8 milionë euro, me të cilat pritet të prodhohen 1 milion e 700 mijë letërnjoftime.

Top Channel