Televizioni Shtetëror në Korenë e Veriut transmetoi të hënën imazhe eksluzive të arrestimit të një prej ish-bashkëpunëtorëve kryesorë të liderit Kim Jong-un.
Imazhet dramatike tregojnë se si “armiku” Chang Song-thaek shoqërohet jashtë sallës se Parlamentit nga roje me uniformë.
Song-thaek është njëkohësisht bashkëshorti i hallës së udhëheqësit Jong-un. Nuk dihet më asgjë për fatin që i është rezervuar 67-vjeçarit që prej momentit të arrestimit.
Agjensia “KCNA” akuzoi zotin Chang për një sërë krimesh kundër shtetit, mes të cilave korrupsion dhe akte në kundërshtim me moralin, si seksi jashtëmartesor dhe abuzimi me substancat narkotike.
Sipas analistëve, një arrestim i tillë publik dhe i transmetuar në televizion është unik dhe një sinjal i një spastrimi të gjerë që Jong-un duket se është duke planifikuar në radhët e partisë.
Chang është figura më e lartë politike e goditur prej “liderit të dashur”, në dy vitet e urdhëheqjes e Kim Jong-un në Korenë e Veriut.
Jong-un, i cili besohet të jetë 30-32 vjeç, trashëgoi pushtetin në shtetin më të izoluar të botës pas vdekjes së babait Kim Jong-il, në dhjetor 2011.
I martuar me hallën e liderit Kim Jong-un, Thaek konsiderohej si një prej njerëzve më besnikë të regjimit, duke ushtruar njëkohësisht detyrën e këshilltarit të presidentit dhe zëvendëskryetarit të Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare.
Ai konsiderohej gjerësisht si një prej pesë figurave me ndikimin më të madh në vendimmarrjen e Koresë së Veriut, shtetit shtëpi të 24 milionë banorëve.
Top Channel