Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dërguar një letër të hapur kryeprokurorit të Kosovës Ismet Kabashi, me anë të së cilës i kërkon të hetojë akuzat publike për vrasje e krime të tjera.

“Prej një kohe të gjatë në mediat tona shohim njerëz të profileve të ndryshme, të cilët akuzojnë hapur qytetarë të Kosovës si autorë të vrasjeve, të zhvatjes, fajdeve dhe krimeve të rënda të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Ai i drejton një sërë pyetjesh kryeprokurorit, siç shprehet jo si kryetar i një partie politike parlamentare, por si një qytetar i zakonshëm i Kosovës.

“Kur një person akuzon personin tjetër për vrasje, ju si Prokurori e Shtetit, a e ndjeni veten të obliguar që, konform detyrës zyrtare, të filloni hetimet për ndriçimin e krimit të supozuar? Kur një media, një politikan apo përfaqësues i shoqërisë civile, akuzon personin e tretë për zhvatje, haraç, fajde dhe vepra të tjera kriminale, a konsideroni se, konform ligjit dhe obligimeve kushtetuese, jeni të obliguar të veproni për të zbardhur të vërtetën dhe ndriçuar krimin e supozuar, të denoncuar publikisht?”, pyet kreu i AAK-së Kabashin.

Në fund, ai deklaron se një shoqëri demokratike nuk mund të stabilizohet dhe të jetë funksionale nëse organet e drejtësisë nuk e kryejnë punën e tyre.

“Kur të pafajshmit akuzohen dhe denigrohen, ndërsa fajtorët mbeten të lirë dhe të paprekshëm, shoqëria rrënohet moralisht. Rrënohet motivi i njerëzve për t’u angazhuar në punë të ndershme dhe inkurajohet më tej krimi, korrupsioni dhe zhvatja. Unë, si qytetar i Kosovës, i jap vetes të drejtën të kërkoj nga ju përgjigje. Ju udhëhiqni institucionin që ka për detyrë të mbrojë jo vetëm dinjitetin tim si qytetar, por edhe të mbrojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e këtij vendi, që të mos lejojë që njerëzit e pafajshëm të dënohen moralisht dhe fajtorët të mbesin të lirë e të paprekshëm”, thuhet në fund të letrës së kryetarit Haradinaj, adresuar kryeprokurorit Ismet Kabashi.

Në lidhje me këtë letër, prokuroria ka dërguar një njoftim gjatë pasdites, ku sqaron se, me kërkesë të avokatit të zotit Haradinaj, për verifikimin e pohimeve të zotit Gazmend Muhaxheri në një intervistë të dhënë në portalin elektronik “Gazetaexpress” më 25 nëntor 2013, me çështjen po merret Prokuroria Speciale e Kosovës.

Top Channel