Devoll, mbërrijnë trupat e 2 vëllezërve

09/12/2013 00:00

Trupat e pajetë të dy vëllezërve të vrarë nga policia greke, Melsi dhe Klevis Çollaku u dërguan në fshatin Shyec rreth orës 14.00. Mes dhimbjes dhe lotëve familjarët ishin edhe të revoltuar, pasi sipas tyre trupat e pajetë u desh të pastroheshin dhe visheshin në spitalin e Bilishtit, ndërkohë që kjo proçedurë nuk ishte kryer në morgun e Kozanit, në Greqi.

Ndërkaq, familjarët kanë ngritur dyshime rreth ngjarjes, duke hedhur poshtë versionin e publikuar nga policia greke. Ata kanë rrëfyer se dy djemtë i kanë marrë plumbat në shpinë dhe se policia greke i ka ndjekur në territorin shqiptar.

Versioni i të afërmve është përforcuar edhe më tej nga raporti mjeko-ligjor që kanë marrë familjarët prej ekspertëve të morgut në shtetin grek, ku sqarohet se njëri prej vëllezërve kishte marë dy plumba pas shpine, ndërsa tjetri 5.

“Dhe mediat greke para 4 orësh thanë që nuk u gjetën armë. Nuk kishte drogë, nuk kishte as kallash. Ku është kallashi? Të fotografohej dhe të ishin thirrur ekspertë shqiptarë në vendngjarje. Pse s’u thirrën”, pyet Ëngjëllush Çollaku.

Apelit të familjarëve i është bashkuar edhe kreu i komunës Progër, i cili nga ana e tij ka theksuar se këta banorë përballen me varfërinë ekstreme dhe detyrohen të kalojnë kufirin për të mbijetuar.

“Në emër të institucionit që drejtoj i kërkoj ndihmë Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme për të zbardhur të vërtetën, sido që të jetë ajo dhe të informojnë familjarët”, ka deklaruar Artur Agolli.

Vëllezërit Melsi dhe Klevis Çollaku pritet të përcillen për në banesën e fundit ditën e martë.

Top Channel