Në ditën e Rinisë, kreu i ri i demokratëve Lulzim Basha shpalli përpara drejtuesve të degëve lokale të PD, fillimin e procesit të analizës për humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda selisë blu.

“Sot shpallim një garë të re, të lirë e të ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj. Garën që do të afirmojë seriozitetin e një partie me histori të madhe dhe ambicie të mëdha, siç është Partia Demokratike. Garën që do të nxjerrë në drejtimin e partisë, që nga seksioni më i largët e më i vogël, e deri në kryesinë e partisë, njerëzit më të mirë e më të aftë, demokratët më të respektuar nga anëtarësia, pse jo dhe nga publiku i gjerë i fshatit, lagjes, qytetit, ata që bashkë me mua, si kryetar i zgjedhur me parimin “një anëtar-një votë”, do të udhëheqim partinë në synimet e saj për të fituar zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet politike më pas. Për të gjithë ne, është e qartë se fushata që çelim sot është vendimtare për këto synime”, tha Lulzim Basha.

Pa mohuar arritjet e qeverisjes demokrate në këto tetë vjet, për shpërdorimin e besimit dhe zhgënjimin kreu i demokratëve kërkoi ndjesë.

“Me ndjesën e nevojshme për çdo moment zhgënjimi apo shpërdorimi të besimit tuaj nga ana jonë, unë iu ftoj të gjithëve të merrni pjesë aktive në fushatën e zgjedhjeve të reja në Partinë Demokratike dhe ta shndërroni këtë fushatë, në një nisje të re të fuqishme drejt objektivave të reja”, shtoi Basha.

Një tjetër risi në fjalimin dhe strategjinë e re të rigjenerimit të PD, të lançuar nga Basha, ishte thirrja për afrimin e të larguarve me kontribute.

“Të nisemi sot më të bashkuar se kurrë. Për hapjen e madhe të Partisë Demokratike dhe ribashkimin e të gjithë kontributeve historike. Për demokracinë në shtëpinë e madhe të lirisë së shqiptarëve, në Partinë Demokratike. Me bindjen se fati dhe misioni i PD ka qenë, është dhe do të jetë Shqipëria europiane”.

Basha: Lëvizja rinore vazhdon
PD organizon koncert festiv me rastin e 8 Dhjetorit

Demokratët përkujtuan 8 Dhjetorin ‘90-të  me një koncert në Pallatin e
Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, me këngë e të ftuar, protagonistë të
lëvizjes që solli rënien e komunizmit dhe vendosjen e sistemit
demokratik në vend.

Ndryshe nga herët e tjera, kur kjo datë është përshëndetur nga ish-kryeministri Berisha si një ndër  drejtuesit e parë të Partisë Demokratike si forca e parë pluraliste në vend, këtë herë si drejtuesi i demokratëve, ishte Lulzim Basha ai mbajti fjalën  përpara mijëra të rinjëve.

“Ajo natë, vërtet e bardhë, nxorri në historinë e Shqipërisë, në krye, studentët e parë, nxorri Azem Hajdarin, prijësin e lëvizjes studentore, kryeheroin e lëvizjes studentore. A nuk është ëndrra e Shqipërisë europiane që ngriti në këmbë studentët 23 vite më parë, jo vetëm ëndrra më e bukur dhe përbashkuese e brezave, por dhe më frymëzuesja e rinisë së sotme? Po bëjmë dhe do bëjmë gjithcka për statusin edhe përkundrejt atyre që nuk po bëjnë asgjë për statusin, sepse statusi jeni ju, është rinia”, tha Basha.
 
Por ëndrra e Dhjetorit 90-të është gjallë, tha Basha, kur si argument solli statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në fund të dhjetorit. Kreu i demokratëve pa si zgjatim të lëvizjes se të rinjëve 23 vjet më parë, protestën e tyre të para pak ditëve për t’i thënë ‘Jo’ armëve kimike në vend.

“Në këtë 8 dhjetor, brezi i ri i shqiptarëve vjen edhe me këtë ‘Jo’ të fortë që në bindjen time është një ‘Po’ e madhe dhe e fuqishme, një garanci e re për Shqipërinë e lirive dhe Shqipërinë e zhvilluar e demokratike për Shqipërinë europiane dhe pjesë e Europës së bashkuar. Ja pra pse sot festojmë, jo vetëm nderojmë rininë e viteve ’90 që hapi rrugën, por më shumë se kaq gjenerata e lirisë, për të cituar kryetarin historik të forcës politike që lindi nga studentët e dhjetorit, Sali Berishën, nder për jetë studentëve liberator! Zoti e bekoftë rininë! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Gëzuar”, mbylli fjalën e tij Basha.

Top Channel