Muzikantët e rinjë në Kosovë, për herë të parë kanë rastin të trajnohen në një teknikë unike muzikale. Përcjellja e filmave pa zë, nga instrumentistët e Filarmonisë së Kosovës është tema e trajnimit të cilin po e drejton Stephan Graf von Bothmer, i njohur në gjithë botën si kompozitor dhe pianist në përcjelljen e filmave pa zë.

Duke parë filmin për herë të parë, artistët kthejnë emocionet në kolonë zanore. “Ideja është që të merret një film pa zë dhe të zhvillohet muzika për skena të caktuara, e të jepet ndjenja e parë e asaj çka mund të bëhet duke përcjellë filmin. Varet shumë nga pjesëmarrësit”, tregon Bothmer.

Stephan Graf von Bothmer erdhi në Kosovë si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për filmin dhe tetatrin, “Skena Up”. Ai njihet edhe si themelues i serisë së filmave “Silent Film Koncert” në kinemanë e kryeqytetit gjerman, Berlin.

Mbrëmjen e së premtes, për më shumë se një orë, audienca kosovare pati rastin të dëgjonte përcjelljen me piano nga Bothmer të filmit të njohur gjerman “Nosferatu”, i realizuar në vitin 1922. Bothmer do të punojë me muzikantët e rinjë kosovarë për dy ditë.

Top Channel