Kundër përmendores së Car Dushanit

07/12/2013 00:00

Një grup shqiptarësh në Shkup, kanë zbarkuar rreth mesnatës në sheshin e qytetit, ku para pak ditësh u vendos përmendorja e Car Dushanit.

Në internet qarkullojnë disa foto që tregojnë një grup shqiptarësh me shkopinj dhe mjete të tjera të forta në duar duke dëmtuar përmendoren e mbretit serb të shekullit të 14-të.

Përmendorja, pjesë e projektit “Shkupi 2014”, u kritikua ashpër nga shqiptarët e Maqedonisë që e konsiderojnë atë një provokim të maqedonasve. Car Dushani pushtoi thuajse gjitha Ballkanin në shekullin e 14-të. Sipas historianëve, në trojet shqiptare ai ka kryer krime të mëdha kundër popullsisë vendase.

Sipas autoriteteve vendore dhe qendrore, përmendorja e Car Dushanit nuk është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska është distancuar nga ngritja e kësaj përmendoreje. E pyetur nëse përmendorja është ilegale, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të hulumtohet nga mediat.

“Vendimi nuk është marrë nga Ministria e Kulturës dhe e shfrytëzoj këtë rast që t’i përgënjeshtroj zërat se ne kemi kërkuar ngritjen e kësaj përmendoreje. Pra, nisma për ngritjen e këtyre përmendoreve në ‘Urën e Syrit’ nuk është nga Ministria e Kulturës. Ju duhet të drejtoheni tek ata që e kanë realizuar projektin pasi Ministria e Kulturës nuk ka kompenteca për ngritjen e përmendoreve”, deklaroi Kançevska.

Top Channel