Qarkullimi vjetor i lojrave ilegale të fatit në Kosovë tejkalon shumën e 100 milionë eurove dhe shërben për pastrimin e parave të krimit të organizuar.

Kjo u tha në një konferencë për shtyp të lëvizjes Vetëvendosje. Përfaqësuesit e lëvizjes konsiderojnë se favorizimi i kundraligjshëm i ndërmarrjeve të kumarit nga politika është bërë në këmbim të financimit të politikës nga bixhozi.

“Ligji duhet ndryshuar. Bastoret dhe lojrat e fatit, aty ku qytetarët e varfër shpenzojnë të ardhurat e fundit, duhet të mbyllen. Bastoret nga ana tjetër sjellin shpresën e rremë tek qytetarët për ndryshim të shpejtë e të lehtë individualisht. Ato i fusin të varfërit në rrathët viciozë, ku me shpresën se do të fitojë diçka, qytetari ynë i varfër shpenzon paranë e fundit dëshpërimisht. Kjo zhvatje pasuron pushtetarët e njëkohësisht varfëron më tej qytetarët, duke iu siguruar kështu pushtetin e padrejtë”, ka deklaruar deputeti Liburn Aliu.

Ndërsa Ylli Hoxha, drejtues i Komitetit anti-korrupsion në Vetëvendosje, thekson se, nëse ATK-ja për 30 ditë nuk e rregullon këtë problem, ata do të ngrenë padi ndaj tyre.

“Ne konsiderojmë se nga e hëna, ATK duhet të fillojë tërheqjen e liçencave për të gjithë operatorët e lojërave të fatit që veprojnë kundra ligjit. Dhe në shkelje të drejtpërdrejtë me ligjin janë shumica dërrmuese e bastoreve dhe lojrave elektronike që sot operojnë në Kosovë. Ne presim që mbyllja e bastoreve të paligjshme dhe konfiskimi i aparateve ilegale të përfundojë jo më larg se 30 ditë nga dita e sotme. Nëse ATK nuk fillon ta zbatojë ligjin dhe riparojë gjendjen anarkike, duke tërhequr liçencat e paligjshme, ne do të detyrohemi të ngremë padi ndaj këtij institucioni. Dhe për këtë gjë jemi tanimë të gatshëm”, ka thënë Hoxha.

Raporti i Kuvendit të Kosovës, sipas Vetëvendosjes, duhet të pasohet me një hetim serioz dhe gjithëpërfshirës të prokurorisë dhe organeve të rendit.

Top Channel