Shkup, vetëm një bursë për shqiptarët

06/12/2013 00:00

Vetëm një shqiptar gjendet këtë vit në listën e 20 studentëve, për të cilët presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka ndarë bursa për studime post-diplomatike jashtë vendit.

Të premten, në ambientet e presidencës, 20 studentëve më të mirë të vitit, sipas Ministrisë së Arsimit, në mënyrë solemne u janë dhënë bursat për të studiuar në Kolegjin City në Selanik, që është pjesë e Universitetit “Shefild” nga Britania e Madhe.

Ivanov tha bursa e pagëzuar me emrin e presindetit të ndjerë të Maqedonisë, ‘Boris Trajkovski’ është nder dhe privilegj për studentët që e kanë fituar.

“Shfrytëzojeni këtë mundësi për t’u njohur me kultura të reja, për shkëmbim të ideve dhe mendimeve dhe për krijimin e shoqërive të reja. Padyshim se këto kontakte dhe komunikime do t’ju shërbejnë për ngritjen tuaj profesionale dhe personale. Në vazhdimësi them se truri i njeriut është resursi jonë më i rëndësishëm. Prëj këtu, ndërtimi i kuadrove cilësore, me arsimim të lartë gjithmonë ka qenë investimi më i vlefshëm. Maqedonia ka nevojë për kuadro në sferën e administratës së biznesit, menaxhmentit, marketingut dhe financave”, deklaroi Ivanov.

Vlera e këtyre bursave që ndahen për të katërtin vit me radhë arrin në rreth 15 mijë euro për çdo student. Numri i shqiptarëve që kanë marrë këto bursa edhe në të kaluarën ka qenë i ulët.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, gjatë mandatit të tij vazhdimisht është kritikuar për mospërfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Ivanov është akuzuar nga shqiptarët edhe për mosaplikimin e gjuhës shqipe në presidencë dhe për mospërfshirjen e drejtë të shqiptarëve në kabinetin e tij.

Presidenti maqedonas, i cili është në fund të mandatit, në zgjedhjet presidenciale të pranverës nuk pritet të ketë as përkrahjen e partisë shqiptare BDI, që e mbështeti në zgjedhjet e vitit 2009.

Top Channel