Papa Françesku do të ngrejë një komitet në Vatikan për të luftuar abuzimin seksual të fëmijëve brenda Kishës Katolike dhe për t’i ofruar ndihmë viktimave.
Lajmi u përcoll nga kryepeshkopi i Bostonit. Vendimi i Papës u mor pas një bisede që Ati i Shenjtë realizoi me tetë kardinalë, pjesë e grupit të tij të ngushtë të këshilltarëve.
Vendimi i Vatikanit për të ngritur këtë komision hetimor vjen pasi Selia e Shenjtë refuzoi një kërkesë të OKB-së për të ndarë informacion mbi abuzimet seksuale të supozuara të priftërinjve apo murgjve katolikë.
Papa Françesku ka thënë më parë se adresimi i problemeve të abuzimit seksual është thelbësor për besueshmërinë e kishës.
Kardinali Sean O’Malley, kryepeshkopi i Bostonit, paralajmëroi se paneli i propozuar i ekspertëve mund të hartojë një kod të rreptë sjellje për priftërinjtë dhe realizimin e liturgjive.
Gjithashtu, komiteti pritet të krijojë një strukturë monitoruese të aktivitetit të priftërinjve.
Bostoni është vendosur në qendër të skandalit të abuzimeve seksuale me fëmijë, që kanë përfshirë priftërinj katolikë në SHBA, në vitin 2002.
Top Channel